Qeveria bën “show” me çmimin e naftës
Rritja galopante e çmimit të naftës në tregun vendas, e cila ka pësuar një rritje rekord prej 25 lekësh për litër brenda vetëm një jave, ka vënë në lëvizje makinerinë e propagandës qeveritare.
Këtë të martë, tre ministra të kabinetit, Delina Ibrahimaj, Enea Karakaçi dhe Petrit Malaj, u mblodhën në një takim me tregtarët e karburanteve për të diskutuar mbi atë që ata e quajtën monitorim të situatës dhe zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
Përmes postimeve në rrjetet sociale, ministrja e Ekonomisë premtoi forcim të monitorimit të përditshëm dhe transparencë me publikun, ndërsa Ministria e Financave njoftoi me bujë krijimin e një task-force të përbashkët me Tatimet dhe Doganat për të kontrolluar marzhet e fitimit.
Megjithatë, ky aksion i prezantuar si një përpjekje për të mbrojtur konsumatorët, ngjan më shumë me një shaka të kripur dhe një “show” mediatik sesa me një zgjidhje reale.
E vërteta është se qeveria shqiptare nuk ka nevojë për takime, as për task-forca dhe as për analiza të stërzgjatura, pasi ajo i disponon të gjitha të dhënat e zinxhirit tregtar në kohë reale. Përmes sistemit të fiskalizimit, shteti e sheh çdo lëvizje që nga momenti i zhdoganimit deri te çmimi final në pompë.
Çdo marzh fitimi në çdo hallkë tregtare gjenerohet me një komandë të thjeshtë kompjuterike, duke e bërë çdo strukturë tjetër monitorimi plotësisht të panevojshme dhe thjesht një mjet për konsum publik.
Në vend që të përdorë instrumentet ligjore që ka në dorë për të goditur fitimet spekulative nëse marzhet devijojnë nga normaliteti, qeveria zgjedh të fshihet pas fjalive pa kuptim dhe takimeve me grosistët.
Ndërkohë që qytetarët përballen me koston e rritur në xhepat e tyre, administrata mjaftohet me deklarata për forcim monitorimi, duke shmangur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë mbi spekulimin e mundshëm.
Në vend të veprimeve konkrete për të marrë mbrapsht fitimet e fryra, publikut i ofrohet një shfaqje me task-forca propagande që vetëm sa legjitimojnë rritjen e çmimeve në sytë e opinionit.
