Ekonomi

QKB, rriten me 5,28% regjistrimet e bizneseve të reja në janar

Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se gjatë muajit janar janë regjistruar 2152 biznese të reja, duke shënuar një rritje prej 5,28% krahasuar me janarin 2025, kur u regjistruan 2044 subjekte të reja.

Sipas QKB-së, të dhënat flasin për një interes të vazhdueshëm për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike dhe për formalizimin e sipërmarrjeve.

Kryesisht, Tirana ka dominuar në numrin e regjistrimeve, me 1166 subjekte të reja, ndërsa Durrësi ka pasuar me 250 regjistrime dhe Vlora me 187. Po ashtu, Elbasani dhe Fieri kanë regjistruar nga 118 biznese të reja.

Nga ana tjetër, sektori i tregtisë, përfshirë shumicën dhe pakicën, ka qenë aktiviteti që ka regjistruar numrin më të lartë të bizneseve të reja, me gjithsej 546 regjistrime.

Aktivitetet e tjera që kanë pasur një rritje të konsiderueshme janë ato të akomodimit dhe shërbimit ushqimor, transportit dhe magazinimit, si dhe ndërtimit.

Një tjetër aspekt pozitiv është se gjatë këtij muaji janë regjistruar 718 subjekte që administrohen nga gra, duke reflektuar një pjesëmarrje të qëndrueshme të femrave në sektorin e sipërmarrjes.

Po ashtu, QKB ka lëshuar gjithsej 125 leje dhe licensa gjatë këtij muaji, me një pjesë të konsiderueshme që i përkasin shërbimeve mjekësore dhe prodhimit të ushqimeve.

Për sa i përket përmirësimit të shërbimeve digjitale, QKB ka shtuar tre shërbime të reja në platformën “e-Albania”, duke mundësuar aplikime më të shpejta dhe më të thjeshta për likuidime, ekstrakte historike dhe tërheqje nga regjistri i licensave dhe lejeve.

Këto hapa janë pjesë e angazhimit të QKB për të lehtësuar procedurat administrative dhe për të ofruar më shumë transparencë dhe akses për qytetarët dhe bizneset.