Politikë

Rama mbledh Asamblenë e PS-së në Durrës!

E shtuna e kësaj jave, mesa duket, nuk do të jetë pushim për socialistët.

Në mesazhin e dërguar këtë të martë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare është thirrur mbledhja e radhës këtë të shtunë në orën 10:00 në Gjirin e Lalëzit të Durrësit.

Asamblenë kryesocialisti Edi Rama e njoftoi në mbledhjen e fundit të kryesisë së PS-së.

Në fokus do të jetë organizimi i brendshëm i partisë dhe ristrukturimi i saj në prag të sfidave të ardhshme politike.

Në Asamblenë socialiste do të diskutohet mbi zgjedhjet e reja në strukturat drejtuese të degëve të kësaj force politike, si dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.

Edhe pse ende nuk ka një agjendë zyrtare, mësohet se fjala hapëse në Asamblenë e së shtunës do të jetë nga Sekretari i Përgjithshëm Blendi Klosi, ndërsa fjala e radhës do të jetë nga Kryesocialisti dhe njëkohësisht Kryeministri Edi Rama.