Raporti i BTI-së, Shqipëria e para në rajon për transformimin politik dhe qeverisjen
Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të shtunë, më 28 mars, disa të dhëna nga raporti ndërkombëtar Bertelsmann Transformation Index 2026 (BTI 2026), ku vlerësohet pozicionimi i Shqipërisë në krye të vendeve të Europës Juglindore në disa tregues kyç.
Sipas klasifikimit të publikuar nga Rama, Shqipëria renditet e para në rajon për transformimin politik me 7.70 pikë, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut (me 7.65 pikë) dhe Malin e Zi (me 7.40 pikë). Në këtë tregues, më pas renditen Kosova, Bosnia and Herzegovina si dhe Serbia.
Në aspektin e qeverisjes, Shqipëria mban sërish vendin e parë me 6.71 pikë, duke lënë pas të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Ndërsa në transformimin ekonomik, Shqipëria renditet e treta me 7.11 pikë, pas Malit të Zi (me 7.50 pikë) dhe Maqedonisë së Veriut (me 7.18 pikë), por përpara Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
Raporti BTI, i hartuar nga Bertelsmann Stiftung, është një nga vlerësimet më të rëndësishme ndërkombëtare për cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen. Ai publikohet çdo dy vjet dhe analizon 137 vende në mbarë botën.
Kampioni aktual përfshin 137 vende. Njëzet e tre vende të OECD-së, përfshirë Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, aktualisht nuk janë pjesë e vlerësimit. Vlerësimi bazohet në më shumë se 5,000 faqe raportesh të detajuara për vendet, të përgatitura në bashkëpunim me rreth 300 ekspertë nga universitete dhe qendra kërkimore kryesore në mbi 120 vende. Periudha e shqyrtimit për këtë edicion mbulon 1 shkurt 2023 deri më 31 janar 2025. BTI është i vetmi indeks krahasues ndërkombëtar që mat performancën e qeverisjes duke përdorur të dhëna primare të vetat dhe që ofron një analizë të plotë të kapacitetit drejtues politik në proceset e transformimit.
