Sociale

Reforma territoriale, këto janë katër skenarët si mund të ndahen bashkitë e Shqipërisë

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, u prezantua për herë të parë edhe  puna e plotë e deritanishme e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale.

Prezantimi u bë nga bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku.

Skenarët

U prezantuan katër skenarë reformimi, secili me vlerësim të detajuar ligjor dhe analizë përputhshmërie me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore.

Skenari 1: Konsolidimi Funksional

Bashkitë e vogla bashkohen me fqinjet më të forta, qarqet mbeten si nivel koordinues.

Avantazhi: zbatim i shpejtë me kosto të ulët politike dhe pa ndryshim kushtetues.

Rreziku: mungon niveli strategjik ndërbashkiak dhe përputhja me kërkesat e BE-së mbetet e kufizuar.

Skenari 2: Konsolidim dhe Decentralizim

Bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt.

Avantazhi: dy nivele me legjitimitet demokratik të dyfish dhe efikasitet i lartë në shërbimet komplekse.

Rreziku: konsolidimi kërkon ndryshim të madh kufijsh dhe transferim masiv të stafit, aseteve dhe sistemeve.

Skenari 3: Forcimi i Qarkut

Ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë.

Avantazhi: nuk ndryshon asnjë kufi — shmang tensionin territorial dhe ka precedent të fortë europian.

Rreziku: kapacitetet aktuale të qarqeve janë shumë të ulëta dhe ekziston rreziku që qarku të jetë më i dobët se bashkia që zëvendëson.

Skenari 4: Rajonet Strategjike

Bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajonë strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së.

Avantazhi: përputhja më e lartë me kërkesat NUTS-2 të BE-së dhe kapacitet për projekte madhore.

Rreziku: tre nivele qeverisjeje rrisin burokracinë, ndërsa rajonet e reja kanë legjitimitet të dobët demokratik për shkak të zgjedhjes së tërthortë.

Asnjë skenar nuk u prezantua si zgjedhja përfundimtare. Grupit iu shpjegua se procesi kalon nëpër konsultime publike, dëgjesa në territor dhe dokument politik para se të arrihet te paketa ligjore.