Reshje dëbore në Gurin e Mëngjesit në Kukës/ Pamja magjepsëse ‘zbardh’ pranverën
Guri i Mëngjesit në Kukës, është mbuluar nga reshjet e dëborës në ditët e para të pranverës, duke marrë një pamje magjepsëse mes panoramës së bardhë të malit të Shishtavecit, në verilindje të Shqipërisë, pranë kufirit me Kosovën.
I rrethuar nga bjeshkë të veshura me dëborë dhe nga një qetësi alpine që të lë pa frymë, ky gur i madh ranor kthehet në një pikë magjike të peizazhit, ku dimri ende nuk është larguar plotësisht dhe pranvera sapo ka nisur të japë shenjat e para.
Nga lartësia prej 1,940 metrash mbi nivelin e detit, Guri i Mëngjesit ofron një panoramë mahnitëse: kreshta të bardha, lugina të qeta dhe horizonte të pafundme ku shfaqen madhështore Sharri, Gjallica, Koritniku, Korabi dhe Kallabaku, ndërsa në ditë të kthjellëta duken edhe pjesë të Alpeve Shqiptare.
Kjo pamje e rrallë, ku bora mbulon ende kullotat alpine dhe relievin e egër të zonës, e bën Gurin e Mëngjesit jo vetëm një simbol të Novosejit dhe Shishtavecit, por edhe një nga pikat më mbresëlënëse për dashamirësit e natyrës, fotografisë dhe ecjeve malore.
