Aktualitet

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, Altin Hajri dënohet me burgim të përjetshëm

Gjykata e Posaçme ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin që përfundoi me vdekjen e Jan Prengës në janar 2020, në zonën e Kamzës. Sipas trupit gjykues, provat e paraqitura gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë qenë bindëse dhe të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Nga ana tjetër, përmes përfaqësuesve ligjorë, Hajri ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se nuk ka pasur dijeni mbi planin e rrëmbimit.

Në lidhje me të njëjtin rast, më herët Gjykata ka dhënë dënim të përjetshëm edhe për Festim Bexhdilin, i shpallur fajtor për rolin e tij në këtë çështje.

Ngjarja lidhet me zhdukjen dhe vrasjen e Prengës, e cila dyshohet të ketë ardhur si pasojë e vjedhjes së 260 kilogramëve kokainë në Portin e Portsmouth-it, ku u përfshi edhe vëllai i viktimës. Sipas hetimeve, lënda narkotike u mor nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, një person i identifikuar si Xhuliano nga Shkodra dhe një shtetas rumun.

Si reagim ndaj kësaj, autorët e dyshuar organizuan hakmarrjen në Shqipëri. Fillimisht u arrestuan tetë persona, kryesisht nga familja Hajri, por më pas ata u liruan njëri pas tjetrit.

Për gjykim janë dërguar disa persona, mes tyre Dritan Rexhepi (i arrestuar aktualisht në Turqi), Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Kështeja. Ndërkohë, si të pandehur figurojnë edhe Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini. Sipas SPAK, Rexhepi dhe Funiqi dyshohet se kanë dhënë urdhrin për rrëmbimin, ndërsa organizimi i tij është realizuar nga Bleta dhe Kështeja.

Rrëmbimi i Jan Prengës është kryer më 17 janar 2020 në Shqipëri, nga Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër ende i paidentifikuar.