Politikë

Rritja e çmimit të karburanteve, ministri Malaj: Nëse Task-Forca konstaton abuzime, do ringremë Bordin e Transparencës

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se situata e çmimeve të hidrokarbureve po trajtohet në dy drejtime kryesore.

Sipas tij, plani i parë lidhet me monitorimin e çmimeve dhe marzheve të fitimit të aplikuara nga tregtarët me shumicë dhe pakicë, ndërsa plani i dytë synon rritjen e efikasitetit në dogana dhe tatime, për të luftuar evazionin fiskal dhe kontrabandën.

Malaj bëri të ditur se task-forca është angazhuar në terren prej një muaji, ku janë konstatuar edhe disa shkelje, për të cilat janë marrë masa konkrete.

Ai theksoi se monitorimi do të vijojë pa një afat të përcaktuar dhe se, në rast se evidentohen abuzime, do të ndërhyhet me ngritjen e Bordit të Transparencës.

“Plani i parë ka të bëjë me monitorimin e çmimeve dhe marzhet e fitimit të aplikuara nga tregtarët me shumicë/pakicë të hidrokarbureve. Plani i dytë është rritja e efikasitetit doganor/tatimor që ka për qëllim uljen e evazionit fiskal dhe kontrabandës.

Strukturat do të vijojnë monitorimin në terren dhe nëse ka abuzime, do të detyrohemi që të ngrihet Bordi i Transparencës që të marrim masa të mëtejshme. Plani do të shtrihet pa afat, derisa të kemi qetësim të situatës”, u shpreh Malaj.