Shpërthim me tritol në Lezhë, i vendoset lëndë plasëse automjetit të agjentit të krimeve
Automjeti në pronësi të efektivit të policisë Gentian Gjeta, i cili shërben si agjent në sektorin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është hedhur në erë me lëndë plasëse në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në qytetin e Lezhës.
Sipas burimeve, një sasi tritoli është vendosur në pjesën e përparme të automjetit të tij. Dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë lëvizur me motor. Ata kanë hedhur lëndën plasëse pranë automjetit dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja në drejtim të paditur.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në mjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas shpërthimit në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Hetuesit po verifikojnë disa pista, ndërsa një prej dyshimeve kryesore lidhet me detyrën e efektivit të policisë, për shkak të angazhimit të tij në sektorin e krimeve.
Ndërkohë, po kontrollohen kamerat e sigurisë në zonë dhe po mblidhen prova që mund të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
