Skandali i mikrokredive, GJKKO zgjat afatin dhe kërkon më shumë hetime për bandën që i nxiu jetën mijëra familjeve shqiptare
Hetimet dhe denoncimet e mëvonshme zbuluan se kompani si Micro Credit Albania, Final, ADCA, Consulting Company, ZIG dhe të tjera të ngjashme ushtruan presion sistematik ndaj debitorëve përmes telefonatave të pandërprera, kërcënimeve, shantazheve, sekuestrimeve dhe përvetësimit të pronave.Familje që kishin marrë kredi të vogla vite më parë u përballën me kërkesa financiare të shumëfishuara, pa transparence. Banesa, toka, magazina dhe pasuri të tjera u kaluan në emër të këtyre kompanive
Gjykata e Posaçme ka vendosur kthimin për plotësim hetimesh të dosjes së mikrokredive, duke i lënë Prokurorisë së Posaçme një afat shtesë prej pesë muajsh për të përfunduar hetimet. Vendimi u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila nuk pranoi kërkesën e prokurorit Edvin Kondili për kalimin e çështjes në gjykim, pasi gjatë seancave paraprake u konstatuan mangësi në hetim.
Çështja përfshin 16 të pandehur dhe katër shoqëri, të cilat akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet për skandalin nisën fillimisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila sekuestroi kuotat dhe asetet e shoqërive të përfshira si edhe llogaritë bankare të të hetuarve. Dosja kaloi për kompetencë në SPAK në dhjetor 2024 dhe në korrik 2025 u dërgua për gjykim.
Sipas hetimeve, drejtues të grupit kanë qenë Elda Ibro dhe Arben Meskuti, ndërsa Olsi Ibro, i përfshirë në skemë, ka ndërruar jetë në vitin 2024. Në këtë procedim përfshihen shoqëritë “Micro Credit Albania”, “ADCA” sh.p.k., “Final” dhe “TDR Group”.
SPAK dyshon se të pandehurit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal duke detyruar debitorët të shlyenin kreditë me interesa shumë të larta dhe kamatëvonesa deri në 2% në ditë. Në shumë raste, sipas hetimeve, qytetarëve u janë sekuestruar prona që më pas kanë kaluar në llogari të shoqërive përmbarimore në kundërshtim me ligjin, ndërsa ndaj tyre janë ushtruar edhe presione dhe kërcënime përmes familjarëve duke përdorur të dhëna personale.
Në kuadër të hetimit janë sekuestruar llogari bankare me vlerë rreth 1.3 milionë euro si dhe disa pasuri të paluajtshme. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se pesë shoqëri, njëra në pronësi të Meskutit, kanë blerë nga një bankë e nivelit të dytë rreth 4 mijë kredi të këqija me vlerë afërsisht 7 milionë euro, të cilat më pas janë përdorur në një skemë shtrënguese ndaj debitorëve.
Sipas dosjes hetimore, qytetarët janë detyruar të rimerrnin kredi me interesa më të larta, ndërsa ata që nuk arrinin të shlyenin detyrimet përballeshin me bllokim pagash, sekuestrim pronash apo automjetesh përmes procedurave përmbarimore. Vendimi i gjykatës për kthimin e dosjes në SPAK synon plotësimin e hetimeve përpara se çështja të kalojë në gjykim themeli.
Si u zhvillua skandali i mikrokredive
Nga viti 2014 deri në 2016, për shkak të vendimeve rregullatore për nxjerrjen jashtë bilancit të kredive të pambledhshme pas një afati të caktuar, bankat (e nisi ProCredit Bank e para) nisën shitjen masive të portofolëve të kredive me probleme. Nxjerrja e tyre nga bilancet solli automatikisht përmirësim statistikor të treguesve financiarë dhe fillimin e rënies së shpejtë të kredive me probleme.Por ajo që u quajt “pastrim bilancesh” për bankat, u shndërrua në një tragjedi sociale për mijëra familje shqiptare.Portofolët e kredive u blenë nga kompani të mbledhjes së borxheve, të cilat më pas u shndërruan në struktura tërësisht grabitqare.Hetimet dhe denoncimet e mëvonshme zbuluan se kompani si Micro Credit Albania, Final, ADCA, Consulting Company, ZIG dhe të tjera të ngjashme ushtruan presion sistematik ndaj debitorëve përmes telefonatave të pandërprera, kërcënimeve, shantazheve, sekuestrimeve dhe përvetësimit të pronave.Familje që kishin marrë kredi të vogla vite më parë u përballën me kërkesa financiare të shumëfishuara, pa transparencë, pa sqarime ligjore dhe shpesh pa asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet bankare.Banesa, toka, magazina dhe pasuri të tjera u kaluan në emër të këtyre kompanive për shuma që nuk kishin asnjë logjikë ekonomike, aq më pak ligjore.
