Politikë

“Sulmet e Spiropalit tregojnë luftë brenda partisë”, analistët godasin PS: Është një pazar i brendshëm, dëmton..

Mesazhet e ‘koduara’ në rrjete sociale të Elisa Spiropalit për situatën brenda Partisë Socialiste lexohen nga analistët si të lidhura me përplasje interesash brenda partisë dhe me reagime personale pas largimit nga posti i ministres së jashtme.

Analistët paralajmërojnë: Reagimet e Spiropalit tregojnë një klimë të ndarë dhe konfliktuale brenda PS

Në një studio televizive, analisti Fatmir Merkoçi i cilësoi këto qëndrime si pjesë e një përplasjeje të brendshme brenda socialistëve.

“Duket sikur Spiropali ka nisur një betejë brenda PS. Sulmi kur largohesh nga posti është bërë si modë. Ndahen interesat dhe klanet brenda. Në PS ka klane. Për sa kohë politika shqiptare udhëhiqet nga ‘kalamaj’, nuk luftohet për kauza. Çfarë kauze mbron Spiropali? Kjo është pazar brenda partisë. Kjo ka ndodhur në të gjitha partitë. Politika s’ka miqësi”, u shpreh ai.
Ndërsa avokati Idajet Beqiri dha një tjetër këndvështrim, duke e parë situatën si një bumerang që në fund kthehet kundër vetë personit.

“Problemi është që edhe në familje ka mosmarrëveshje. Edhe në familjen socialiste është e qartë që fuqinë ta jep partia, nuk është individuale. Në një situatë të tillë, ajo i bën dëm vetes. Nuk bëhet fjalë për klane apo mendim ndryshe. Mund të ketë qejfmbetje, por po bëhen si të tërbuar sikur i kanë postet të përjetshme”, tha ai.

Reagimet vijnë pasi Spiropali, përmes mesazheve në rrjetet sociale, foli për një klimë ku, sipas saj, vendimet imponohen dhe debati shtypet brenda partisë.