Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Kuvendit, grupi “Homeland Justice” publikon videon: S’bëjmë shaka me mbështetësit…
Grupi iranian i hakerave “Homeland Justice” vijon të publikojë në platformën Telegram, dokumente nga sistemi i brendshëm i Kuvendit të Shqipërisë. Ata kanë bërë publike të dhënat e përdoruesve të domain-it parlament.al si dhe emaile të deputetëve të parlamentit apo administratës.
Sulmi kibernetik ndaj Kuvendit të Shqipërisë vjen në një moment që situata në Lindjen e Mesme është e tensionuar nga sulmet e koordinuara të SHBA dhe Izrael drejt Iranit ndërsa Shqipëria qëndron krah Amerikës dhe aleatëve.
“Homeland Justice” ka publikuar video ku shihet se kanë fshirë të dhëna nga serveri i brendshëm i parlamentit. Vetë Kuvendi në një reagim zyrtar ditën e djeshme pranoi fshirjen e disa të dhënave dhe se ishte cenuar sistemi i brendshëm.
Postimet janë shoqëruar me mesazhe kërcënuese drejtuar qeverisë lidhur me strehimin e muxhahedinëve, opozitës iraniane, në kampin e Manzës.
“Me sa duket, mendoni se ju kemi harruar ose nuk kemi pasur qasje në të dhënat tuaja gjatë muajve të fundit, apo jo?! Gaboheni shumë. Nëse shihni se ende keni qasje në disa nga të dhënat dhe korrespondencat tuaja, kjo ndodh vetëm sepse “NE” ju kemi dhënë atë leje. Pasi nxjerrja e të dhënave tona të përfundojë dhe të mos na duhen më, do t’i fshijmë të gjitha për ju, në mënyrë që të dini se nuk po bëjmë shaka me mbështetësit e terroristëve të Kampit Ashraf 3!” shkruan grupi “Homeland Justice”.
I njëjti grup, Homeland Justice, në të shkuarën ka bërë disa sulme kibernetike ndaj faqeve zyrtare të disa institucioneve të tjera, kanë publikuar të dhëna personale të shqiptarëve, të dhëna bankare, apo numrat e celularëve, dhe gjithmonë kanë arsyetuar se shkaku, lidhet me vendimin e Shqipërisë për të strehuar muxhahedinët në kampin e Manzës.
