UCL: Real Madrid kualifikohet duke eleminuar sërish City-n, PSG dhe Arsenal kalojnë me lehtësi, Sporting bën të pamundurën të mundur
Një tjetër natë spektakolare në UEFA Champions League solli emocione të forta, por në qendër të vëmendjes ishte dominimi i Real Madrid, që eliminoi për të tretin sezon radhazi Manchester City.
Real Madrid i papërmbajtshëm, City dorëzohet
“Los Blancos” konfirmuan edhe një herë pse janë ‘mbretërit e Europës’, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale me një rezultat të përgjithshëm 5-1.
Ndeshja nisi me ritëm të çmendur, me rastet që nuk munguan në të dyja portat, por momenti që ndryshoi gjithçka erdhi në mesin e pjesës së parë. Bernardo Silva u ndëshkua me karton të kuq pas një prekjeje me dorë në vijën fatale, duke i lënë anglezët me 10 lojtarë.
Nga pika e bardhë nuk gaboi Vinícius Júnior, që thelloi avantazhin dhe praktikisht “vulosi” kualifikimin. Braziliani ishte protagonisti absolut i mbrëmjes, duke shënuar edhe në minutat shtesë për të mbyllur një paraqitje të shkëlqyer.
Pavarësisht një goli nga Erling Haaland që dha një iluzion rikthimi, Manchester City nuk arriti të reagojë, duke u dorëzuar përballë një Reali superior në çdo aspekt.
Në portë, Thibaut Courtois ishte vendimtar me disa pritje kyçe, duke ruajtur qetësinë në momentet më të vështira.
Tashmë, madrilenët janë shumë pranë një përballjeje “gjigante” në çerekfinale, me shumë gjasa ndaj Bayern Munich.
PSG “shtyp” Chelsean
Paris Saint-Germain nuk la asnjë shans për Chelsea, duke fituar 3-0 në transfertë dhe duke kaluar me dominim total (8-2 në total).
Golashënues për parisienët ishin Khvicha Kvaratskhelia, Bradley Barcola dhe Senny Mayulu.
Arsenal kalon me siguri
Arsenal siguroi një fitore të pastër 2-0 ndaj Bayer Leverkusen në “Emirates”, duke prerë biletën për në fazën tjetër pa shumë drama.
Përmbysje epike nga Sporting
Sporting CP realizoi një nga rikthimet më të çmendura të këtij sezoni, duke përmbysur humbjen 3-0 të ndeshjes së parë dhe eliminuar Bodø/Glimt me një fitore 5-0 pas kohës shtesë.
Një natë që konfirmoi edhe një herë: kur vjen puna te Champions League, Real Madrid mbetet standardi absolut.
