Zhvendosen 102 kontejnerë me mbetje toksike në Porto Romano, operacion me urdhër të Prokurorisë
Porto Romano – Prej më shumë se një viti, 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara toksike të kompanisë “Kurum” ishin të vendosur në Porto Romano. Mengjesin e kësaj të diele nisi operacioni i zhvendosjes së tyre.
Kontejnerët u transportuan në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, vetëm disa metra larg sitit të ri të pallateve të ndërtuara për familjet e prekura nga tërmeti. Procesi po kryhet me urdhër të Prokurorisë dhe ka si qëllim menaxhimin e sigurt të mbetjeve dhe vijimin e procedurave ligjore për trajtimin e tyre. Për garantimin e sigurisë gjatë transportit nuk po asiston Policia e Durrësit.
Rasti i mbetjeve toksike ka shkaktuar skandal në vend. Pak javë më parë, Gjykata e Durrësit firmosi 33 urdhër-arreste, që prekin jo vetëm personel të kompanive përgjegjëse, por edhe disa punonjës të institucioneve shtetërore. Sipas organit të akuzës, shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor u konstatuan tek kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, si dhe pranë institucioneve shtetërore, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Doganën e Durrësit.
Nga masat e vendosura, 20 u ekzekutuan menjëherë, ndërsa 8 u vendosën në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 në “detyrim paraqitjeje”. Operacioni i zhvendosjes synon të përfundojë trajtimin e sigurt të mbetjeve dhe të shmangë rreziqe për banorët e zonës.
