Sport

UEFA fiton betejën me FIFA-n/ Duka: Tërheqja nga plani për shitjen e të drejtave dëshmon se uniteti mbron futbollin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur vendimin e fundit të FIFA-s për t’u tërhequr nga plani për shitjen e një pjese të të drejtave të saj tek investitorë privatë, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e integritetit të futbollit.

Në një reagim publik, Duka thekson se, megjithëse vendimi është pozitiv, mënyra se si u zhvillua ky proces ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit ndërkombëtar, çështje që sipas tij duhet të adresohen pa vonesë.

Presidenti i FSHF-së shprehet se vendimet që ndikojnë në qeverisjen e futbollit duhet të mbështeten gjithmonë në standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale, duke i konsideruar këto parime thelbësore për mbrojtjen e lojës.

Duka deklaron gjithashtu mbështetje të plotë për qëndrimin e UEFA-s, duke nënvizuar se së bashku me organizatën europiane dhe presidentët e federatave kombëtare do të punojë për të garantuar që mësimet e nxjerra nga kjo situatë të shndërrohen në masa konkrete, me qëllim që raste të ngjashme të mos përsëriten në të ardhmen.

Në përfundim, ai thekson se zhvillimet e fundit dëshmuan edhe një herë se uniteti mbetet forca më e madhe e futbollit, ndërsa vlerëson se UEFA tregoi se, kur aktorët e futbollit flasin me një zë dhe qëndrojnë të bashkuar, mund të arrihen vendimet më të mira në interes të lojës.