Aktualitet

Zjarr në Novoselë të Vlorës, temperaturat e larta dhe era e fortë favorizojnë përhapjen e zjarrit në ullishte

Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të shtune fshatin Dëllënjë në Njësinë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë.

Dy automjete zjarrfikëse dhe tetë efektivë ndodhen në terren, ku po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Puna po vështirësohet nga temperaturat e larta dhe era e fortë, të cilat favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Sipas informacioneve nga shërbimi zjarrfikës, flakët rrezikojnë sipërfaqe me pemëtore dhe ullishte, ndërsa banesat, për momentin, nuk paraqiten të rrezikuara pasi ndodhen larg vatrës së zjarrit.

Siç raportohet, forcat zjarrfikëse vijojnë punën për vënien e situatës nën kontroll.