Neutralizohen flakët në Mallakastër, dogjën 10 hektarë me ullinj dhe pyll
Pas një operacioni intensiv disaorësh me 6 mjete zjarrfikëse dhe mbi 50 efektivë nga disa bashki, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës, flakët në Drenovë të Mallakastrës u neutralizuan, duke shmangur rrezikun për banesat dhe varrezat e zonës.
Sipas përllogaritjeve paraprake të dëmeve, nga zjarri u dogjën rreth 10 hektarë sipërfaqe me ullinj dhe pyll me shkurre, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë terrenin për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.
Ndërkohë, në Palasë të Vlorës prej mesnatës forcat zjarrfikëse po përballen me një vatër zjarri. Për të vendosur nën kontroll vatrën e zjarrit u desh ndërhyrja e dy helikopterëve.
Po gjatë së shtunës, u shua edhe zjarri në Lagjen e Spitalit në Lezhë. Flakët, që nisën në një grumbull mbeturinash, u përhapën drejt banesave, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve shmangu dëmet. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e zjarrit.


