Alkool, celular në timon dhe shkelje të shumta, bilanci i Policisë Rrugore në Tiranë për një javë
Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet intensive në akset kryesore dhe në rrugët me qarkullim të lartë, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas bilancit të javës së fundit, shërbimet e Policisë Rrugore, të mbështetura nga monitorimi me mjete bashkëkohore, kanë konstatuar gjithsej 12,505 shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, ndërsa autorët janë arrestuar ose proceduar penalisht.
Në kuadër të kontrolleve, Policia Rrugore ka vendosur 74 masa administrative për mospozicionim të rregullt të mjeteve në karrexhatë, një shkelje që favorizon manovrat e rrezikshme dhe krijon vështirësi në qarkullim.
Gjithashtu, janë ndëshkuar 12 drejtues mjetesh që u konstatuan duke drejtuar automjetin nën efektin e alkoolit, ndërsa 31 automjete të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me Kodin Rrugor janë larguar me mjet ngritës.
Për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mungesën e kaskës mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve janë vendosur 1,562 masa administrative.
Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës të respektojnë rregullat e qarkullimit, të shmangin drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit ose pa leje drejtimi dhe të tregojnë përgjegjshmëri, në funksion të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve.


