Aktualitet

Protesta në Memaliaj kundër reformës territoriale/ Banorët marshojnë drejt qytetit, bllokohet rruga nacionale: Mos na hiqni bashkinë (Video)

Banorët e Memaliajt kanë dalë sërish në protestë kundër reformës territoriale që parashikon bashkimin e Bashkisë Memaliaj me Bashkinë Tepelenë.

Kjo ishte protesta e dytë e organizuar nga qytetarët kundër draftit për shkrirjen e bashkisë, ndërsa në përfundim të tubimit protestuesit kanë nisur një marshim në rrugën nacionale, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve.

Dhjetëra banorë kanë vijuar protestën në këmbë drejt hyrjes së qytetit të Memaliajt, duke përsëritur kundërshtimin ndaj ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale.

Me pankarta dhe thirrje, protestuesit kanë kërkuar që shqetësimet e tyre të dëgjohen dhe që Bashkia Memaliaj të ruajë statusin e saj si njësi vendore më vete.

Pas marshimit dhe bllokimit të përkohshëm të rrugës nacionale, protesta është mbyllur. Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë reagimet dhe protestat edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.