Aktualitet

SPAK pranon kallëzimin ndaj Ramës dhe KKT-së, nis hetimin për resortet në Zvërnec, Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta

SPAK ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimit të depozituar më 12 gusht 2026 ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private, lidhur me procedurat e miratimit të disa projekteve turistike në zona bregdetare dhe të mbrojtura.

Sipas një shkrese të datës 6 nëntor, SPAK ka konfirmuar se procedimi penal nr. 97 është regjistruar më 10 shtator 2026 dhe aktualisht ndodhet në hetim.

Kallëzimi është depozituar nga një grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të protestave kundër projekteve turistike, të cilët kërkojnë verifikimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) dhe procedurave për dhënien e lejeve për këto investime.

Në fokus të kallëzimit janë tri projekte kryesore: resorti “Blue Borgo” në Baks-Rrjoll, projekti “Kingscoast” në zonën e Divjakë-Karavastasë dhe projekti turistik në Zvërnec.

Kallëzuesit pretendojnë se përmes vendimmarrjeve institucionale dhe procedurave të planifikimit janë favorizuar projekte turistike në territore me rëndësi të veçantë mjedisore. Ata kërkojnë që SPAK të verifikojë ligjshmërinë e vendimeve, procedurat e miratimit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Në kallëzim kërkohet hetim për dyshime mbi veprat penale të shpërdorimit të detyrës, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.

Një prej nismëtareve të kallëzimit është arkitektja Entela Spahivogli. Sipas kallëzuesve, dokumentacioni i dorëzuar në SPAK përfshin edhe materiale mbi vendimet e KKT-së, projektet turistike dhe procedurat e ndjekura për miratimin e tyre.

Kallëzuesit kërkojnë që hetimi të shtrihet edhe te projekte të tjera turistike, ku dyshohet se janë ndjekur procedura të ngjashme të planifikimit dhe miratimit.

Regjistrimi i procedimit penal shënon nisjen e hetimeve për pretendimet e ngritura në kallëzim. Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendimmarrje përfundimtare të drejtësisë, personat e përmendur gëzojnë prezumimin e pafajësisë.