Pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd për Kosovën, Prishtina heq flamurin e Ukrainës: Respekti është reciprok
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas largimit të flamurit të Ukrainës dhe mbishkrimit “Free Ukraine” nga objekti i një hoteli në qendër të kryeqytetit.
Veprimi vjen pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Serbi, ku në një konferencë të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin e saj për mosnjohjen e shtetit të Kosovës.
Në reagimin e tij, kreu Komunës së Prishtinës tha se solidariteti me popujt që përballen me luftë dhe persekutim nuk mund të jetë në kurriz të respektit për shtetin e Kosovës.
“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj. Kur Kosova nuk respektohet, përgjigjja jonë duhet të jetë gjithmonë e njëjtë: respekti është reciprok”, shkroi Rama.
Largimi i flamurit ukrainas dhe i mbishkrimit në qendër të Prishtinës u shoqërua edhe me pamje të publikuara nga vetë kryetari i komunës.


