Vilë luksoze në Palasë, SPAK sekuestron projektin e arredimit: Dyshime se mund të jetë pasuri e fshehur e Ballukut
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, hetuesit zbarkuan në ambientet e kompanisë Atelier 4, ku sekuestruan një sërë dokumentesh që lidheshin me projektin e arredimit të një vile luksoze në Palasë.
Sekuestrimi i projektit u bë në vazhdën e hetimeve për ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, gjatë të cilave janë ngritur dyshime të forta se një vilë mund të jetë pasuri e fshehur e ish-zyrtares së lartë.
Vila ndodhet në kompleksin turistik dhe rezidencial Green Coast, në rivierën shqiptare, ndërsa hetuesit janë orientuar drejt saj për shkak të të dhënave të dala nga hetimi.
Belinda Balluku është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe e pandehur për tenderin që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Pak ditë më parë, SPAK firmosi edhe zgjatjen e afateve të hetimit për tre muaj të tjerë.
Balluku u thirr dhe u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme nëntë muaj pasi hetimet ndaj saj u bënë publike. Ndërkohë, ajo vijon të hetohet në gjendje të lirë, pasi mazhoranca refuzoi kërkesën e SPAK për leje për arrestimin e saj.
Ndaj Ballukut janë në fuqi dy masa sigurie: “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve”./VNA


