Politikë

Mbledhje emergjente e Këshillit Bashkiak të Dimalit, votohet kundër bashkimit me Beratin

Këshilli Bashkiak i Dimalit ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin, në kuadër të propozimit të Partisë Socialiste për hartën e re territoriale.

Në një mbledhje emergjente të zhvilluar të hënën, 18 nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak votuan pro shpalljes së pavlefshme të relacionit për shkrirjen dhe pro vijimit të Dimalit si njësi vendore më vete.

Në fillim të mbledhjes u lexua relacioni ku argumentohej propozimi për bashkimin e dy bashkive.

Sipas këshilltarëve, ndër argumentet e paraqitura ishin lidhjet e hershme historike mes zonave, shtrirja e tyre përgjatë lumit Osum dhe ekzistenca e Spitalit Rajonal në Berat.

Por shumica e anëtarëve të Këshillit Bashkiak i kundërshtoi këto argumente, duke pretenduar se ato nuk përputhen me analizën e raportit të ekspertëve dhe se mungojnë faktet dhe studimet e fizibilitetit që do të provonin përfitimet e shkrirjes së Dimalit.

Këshilltarët sollën si argument edhe performancën financiare të bashkisë.

Sipas tyre, gjatë 10 viteve të fundit, Bashkia Dimal ka realizuar mesatarisht rreth 38 për qind të investimeve me buxhetin e vet aktiv, duke u renditur e pesta në rang vendi. Për Bashkinë Berat, sipas të njëjtit argumentim, ky tregues ka qenë mesatarisht rreth 7 për qind.

Për këtë arsye, këshilltarët argumentuan se bashkimi me Beratin nuk do të rriste kapacitetet investuese të Dimalit.

Sipas tyre, shkrirja mund të ketë pasoja negative edhe për ekonominë lokale dhe veçanërisht për fermerët, të cilët prej vitesh eksportojnë prodhimet bujqësore dhe ato të serave në tregjet ndërkombëtare.

Në mbledhje u ngrit edhe argumenti ligjor. Duke iu referuar nenit 89, këshilltarët pretenduan se, në kushtet kur relacioni nuk argumenton përmes fakteve dhe studimeve të fizibilitetit avantazhet e shkrirjes, propozimi duhet të konsiderohet i pavlefshëm.

Në përfundim, 18 nga 21 këshilltarët votuan kundër shkrirjes së Dimalit, duke kërkuar që bashkia të vijojë të funksionojë si njësi vendore më vete.