Kriza në Kosovë drejt zgjidhjes? Kurti: Ka vullnet për marrëveshje. Abdixhiku: Vendi ka nevojë për stabilitet
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit dy orësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, foli në lidhje me një marrëveshje të mundshme me opozitën.
Kurti deklaroi se ka përpjekje për një marrëveshje. Ai tha se në takimin me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, shkoi me pozitivitet.
“Do të takohemi me udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Lumir Abdixhikun kryetar, dhe do të shohim se si mund të ecim së bashku përpara që t’i konstitujmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive”, tha Kurti para mediave.
Kurti u shpreh edhe për presidentin e Kosovës.
“Kemi folur në lidhje me atë se kush dhe çfarë figure do të jetë kryetari/kryetarja e shtetit. Nuk mund të them emra konkretë. Por ne jemi për një president konsensual”, tha Kurti.
Edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku konfirmoi se ka vullnet për të arritur marrëveshje.
“Ka vullnet për të arritur marrëveshjen. Për presidentin, duam një figurë konsensuale, që vërtetë e meriton të jetë në atë post. Me emra konkretë mund të vijmë në takimin e ardhshëm. Për emër specifik, na duhet kohë. LDK nuk kërkon asgjë, kërkon vetëm stabilitet shtetëror, që Kosova të ketë qetësinë, që është kërkuar prej kaq shumë kohësh.
Në takimet e ardhshme do të vijmë me disa emra dhe në fund do të ketë një emër, patjetër. Duhet të ketë dakordim politik. Po flasim për emra konkretë, ku do të arrijmë tek ai emër. Ajo që është e rëndësishme është që ka vullnet për të pasur një zgjidhje për Kosovën”, tha Abdixhiku.


