Brukseli kërkon çmontimin e piramidës së korrupsionit në Shqipëri
Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë hartuar një raport kritik, drejtuar udhëheqësve politikë, mbi mënyrën se si funksionon pushteti ekzekutiv në Shqipëri
Nga AKSHI te Kadastra, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, strukturat e turizmit, informacioni shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, institucionet kryesore janë kthyer në leva të zyrës së kryeministrit. Sipas vlerësimit të BE-së, kjo skemë ka krijuar një çekuilibër të rëndë brenda pushtetit ekzekutiv.

BE-ja nuk bindet nga zhvendosjet formale nëpër ministri dhe kërkon ndarje reale të pushtetit, borde të pavarura dhe kontroll publik mbi fondet, territorin dhe korporatat shtetërore.
Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë hartuar një raport kritik, drejtuar udhëheqësve politikë, mbi mënyrën se si funksionon pushteti ekzekutiv në Shqipëri.
Sipas raportit, ekspertët kanë shprehur shqetësim për rrjetin piramidal nw Shqipwri ka ngritur në pothuajse të gjithë sektorët e qeverisjes.
Dokumenti thekson se kryeministri ka nën varësinë e drejtpërdrejtë rreth 20 agjenci shtetërore, të cilat administrojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit dhe punësojnë një numër të madh nëpunësish.
Nga AKSHI te Kadastra, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, strukturat e turizmit, informacioni shtetëror dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, institucionet kryesore janë kthyer në leva të zyrës së kryeministrit. Sipas vlerësimit të BE-së, kjo skemë ka krijuar një çekuilibër të rëndë brenda pushtetit ekzekutiv.
Pasi u njoh me shqetësimet e Brukselit, km vendosi ta lehtësonte formalisht pushtetin e tij, duke shpërndarë disa prej agjencive në ministri të ndryshme.
Në muajin maj, qeveria dërgoi në Kuvend tri projektligje që parashikonin kalimin e disa agjencive shtetërore në varësinë e ministrive. Megjithatë, kjo lëvizje nuk i ka bindur zyrtarët europianë.
Sipas raportit, nuk mjafton një shpërndarje formale, vetëm në letër. Agjencitë duhet të kenë përgjegjësi të përcaktuara, llogaridhënie institucionale dhe drejtim realisht të shkëputur nga pushteti piramidal i kryeministrit.
Brukseli ngre gjithashtu shqetësime për korporatat shtetërore ekonomike, të cilat janë ngritur sipas të njëjtit model përqendrimi.
Shoqëria shtetërore e industrisë ushtarake KAYO, e cila pritet të administrojë shuma të mëdha nga buxheti, kontrollohet përmes një skeme vertikale që përfundon te zyra e kryeministrit.
Raporti sugjeron që ndërmarrje të tilla të vendosen nën një kontroll publik më të fortë, përmes bordeve ku qeveria nuk zotëron automatikisht shumicën dhe përmes mekanizmave të pavarur mbikëqyrës.
Ekspertët europianë kanë propozuar që institucione të pavarura shtetërore, përfshirë Kuvendin dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit, të marrin rol të drejtpërdrejtë në kontrollin e këtyre ndërmarrjeve publike.
Një vit më parë, Edi Rama e shtriu kontrollin piramidal edhe mbi disa shërbime publike që tradicionalisht u përkisnin bashkive.
Kryeministri kërkoi të vendoste nën kontrollin qendror ujësjellësit, përmes krijimit të një strukture kombëtare. Të njëjtën skemë ndoqi edhe për menaxhimin e mbetjeve, duke propozuar një agjenci në nivel qendror.
Paralelisht, qeveria përqendroi në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit vendimmarrjen për disa leje ndërtimi që më parë përfshiheshin në kompetencat e pushtetit vendor.
Një pjesë e këtyre vendimeve nuk u formalizua plotësisht për shkak të kundërshtimeve të menjëhershme nga Komisioni Europian.
Sipas zyrtarëve të Brukselit, një përqendrim i tillë cenon parimet e autonomisë vendore dhe ngre probleme për përputhshmërinë me Kushtetutën, ligjin organik për pushtetin vendor dhe rregullat që përcaktojnë funksionimin e Këshillit të Ministrave.
Problemi nuk kufizohet te numri i agjencive që mban nën varësi. Shqipëria ka ndërtuar një sistem ku fondet, informacioni, pronat, territori, teknologjia, investimet dhe ndërmarrjet shtetërore përfundojnë në të njëjtën pikë vendimmarrjeje.
Shpërndarja e disa tabelave institucionale nëpër ministri nuk e ndryshon këtë sistem. Nëse emërimet, buxhetet dhe vendimet vazhdojnë të kontrollohen nga e njëjta zyrë, decentralizimi mbetet vetëm një operacion në letër.
Brukseli nuk po kërkon që Edi Rama të ndryshojë emrat në organigramën e qeverisë. Po kërkon ndarjen reale të pushtetit, kontroll të pavarur dhe përgjegjësi institucionale.
Pikërisht këtu qëndron problemi i kryeministrit. Ai mund t’i shpërndajë agjencitë nëpër ministri, por nuk pranon të shpërndajë pushtetin
01
Europa jep 600 mln €, por projektet ngecin: KE-ja evidenton zvarritje dhe tendera problematikë
Komisioni Europian evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit, duke vonuar edhe rezultatet konkrete në terren.
Investimet publike të mbështetura nga Bashkimi Europian në Shqipëri po shënojnë përparim, por zbatimi i tyre vijon të pengohet nga procedurat e prokurimit, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe problemet me sigurimin e tokës.
Këto janë disa nga përfundimet e një misioni monitorues të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, i cili shqyrtoi investimet e financuara nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Që nga viti 2009, në Shqipëri janë investuar më shumë se 600 milionë euro në projekte publike në sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe teknologjisë digjitale.
Në takimin e zhvilluar këtë vit në në Tiranë morën ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Hekurudhës Shqiptare, SASPAC, KESH, AKSHI dhe OST, së bashku me institucionet financiare partnere, si BERZH, KfW dhe Agjencia Franceze për Zhvillim u vërejt se pengesa në prokurime dhe boshllëqe në koordinimin institucional po vazhdojnë të vonojnë zbatimin.
Një ndër projektet e shqyrtuara ishte ngritja e laboratorëve inteligjentë në shkollat shqiptare. Nisma synon krijimin e laboratorëve kompjuterikë për më shumë se 190 mijë nxënës, por përgatitja dhe hapja e tenderit për këtë investim po rezulton një proces kompleks.
Në sektorin e energjisë, diskutimet u përqendruan te parqet fotovoltaike në Vaun e Dejës dhe Belsh, si dhe te segmenti i rrjetit të interkonjeksionit energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Komisioni Europian evidentoi se sigurimi dhe shpronësimi i tokës po ndikojnë në afatet e zbatimit të projekteve të energjisë dhe transportit, duke vonuar edhe rezultatet konkrete në terren.
Vlerësimi kërkon gjithashtu thjeshtimin e procedurave kombëtare për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve të huave dhe granteve. Ndryshimet e shpeshta në objektin, përparësitë apo mënyrën e zbatimit të projekteve duhet të shmangen, pasi krijojnë vonesa dhe pasiguri.
Një tjetër problem lidhet me kapacitetet institucionale, veçanërisht për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve hekurudhore. Për këtë sektor kërkohet forcimi i strukturave përgjegjëse dhe përgatitja më e mirë e projekteve përpara kalimit në fazën e financimit.
Misioni i Komisionit Europian u zhvillua nga 25 deri më 29 maj 2026 dhe përfshiu Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Në të tria vendet u evidentua nevoja për koordinim më të fortë, përgatitje më të shpejtë të investimeve dhe procedura më të thjeshta për prokurimin dhe zbatimin e projekteve.
Në Bosnjë-Hercegovinë, BE-ja ka kontribuar që nga viti 2009 me 1.1 miliardë euro për 33 projekte infrastrukturore, ndërsa portofoli i Malit të Zi arrin në 388 milionë euro për 20 projekte publike.
Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare, donatorëve dypalësh dhe vendeve përfituese, që synon financimin e zhvillimit ekonomik dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Europian.


