SUPERLIGA:” DHE TELASHET NUK KANË TË SOSUR” : ILIR DAJA HUMB KONTROLLIN, ARBITRIMI SËRISH NË QENDËR TË DEBATIT
Nga Albano Kolonjari
Dy gola të anuluar, kartoni i kuq i Qardakut dhe tensioni i madh në fundin e Dinamo–Skënderbeu bënë që Ilir Daja të humbiste qetësinë. Vetëm ndërhyrja e stafit dhe forcave të sigurisë shmangu një konfrontim të mundshëm me gjyqtarin Erjon Bastari. Pas incidenteve në Elbasani–Vllaznia, Komisionin e Disiplinës e pret një javë e ngarkuar.
Superliga shqiptare sapo ka hyrë në javën e dytë, por polemikat, protestat dhe incidentet duket se nuk kanë të sosur.
Një situatë aspak e këndshme u regjistrua në fundin e ndeshjes ndërmjet Dinamos dhe Skënderbeut. Protagonist u bë trajneri i njohur Ilir Daja, i cili u ndëshkua nga gjyqtari kryesor Erjon Bastari me kartonin e dytë të verdhë për protesta dhe si rezultat ai i kuq. Në minutën e 94-të Totre u ndëshkua me karton të verdhë pas një faulli ndaj Malomos, ndërsa situata u tensionua edhe më tej.
Trajneri Daja mori karton të kuq për protesta pasi kërkonte ndëshkimin me të kuq për lojtarin e Skënderbeut.
Vendimi nuk u prit aspak mirë nga tekniku dinamovit. Daja humbi qetësinë, hyri në fushën e lojës dhe iu drejtua me nervozizëm arbitrit. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e pjesëtarëve të stafit të tij dhe forcave të sigurisë bëri të mundur shmangien e një konfrontimi të mundshëm.
Të shohësh një trajner me përvojën dhe profilin e Ilir Dajës të reagojë në atë mënyrë është e pazakontë. Megjithatë, tensioni ishte grumbulluar gjatë gjithë ndeshjes, pas dy golave të anuluar për Dinamon dhe përjashtimit të Qardakut në minutat e fundit.
Dy gola të Dinamos anulohen
Dinamo mendoi se e kishte zhbllokuar rezultatin që në minutën e 18-të. Malomo e dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të bukur me pasime të shpejta, por goli u anulua për pozicion jashtë loje të Berishës në nisjen e aksionit.
Skuadra kryeqytetase e gjeti përsëri rrjetën në minutën e 61-të. Vila realizoi një supergol nga distanca, por festa zgjati vetëm pak çaste.
Gjyqtari Bastari u thirr nga sistemi VAR për të rishikuar aksionin dhe, pasi pa pamjet, vendosi ta anulonte golin për një shtyrje të Përndrecës ndaj Musës në fillimin e aksionit. Ndërkohë, Qardaku u ndëshkua me karton të verdhë për protesta.
Qardaku kërkon penallti, por përjashtohet
Drama arriti kulmin në minutën e 87-të. Qardaku u rrëzua brenda zonës së Skënderbeut dhe futbollistët e Dinamos kërkuan penallti, por gjyqtari e konsideroi veprimin simulim.
Bastari i tregoi Qardakut kartonin e dytë të verdhë, duke e nxjerrë nga loja me karton të kuq dhe duke e lënë Dinamon me dhjetë futbollistë.
Ky episod, i shtuar mbi dy golat e anuluar, bëri që tensioni të shpërthente edhe në stolin dinamovit. Në fund, Daja nuk arriti t’i përmbante nervat dhe u bë protagonist i pamjeve që nuk do të donte t’i shihte askush në një fushë futbolli.
Nga Martini dhe Xhaferi te shpërthimi i Dajës
Incidenti në Dinamo–Skënderbeu erdhi vetëm rreth 24 orë pas ndeshjes Elbasani–Vllaznia, e përfunduar 1–1 dhe e shoqëruar gjithashtu nga tensione të mëdha.
Fillimisht ishte trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, i cili u ndëshkua me karton të kuq pasi hyri në fushë dhe bëri shenja ironike, duke kërkuar që gjyqtarët të kontrollonin përsëri sistemin VAR pas golit të skuadrës shkodrane.
Mbrëmja u mbyll me një incident edhe më të rëndë. Sipas raportimeve dhe akuzave të bëra publike pas ndeshjes, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, dyshohet se goditi gjyqtarin anësor në përfundim të takimit. Rasti pritet të shqyrtohet nga organet disiplinore, të cilat duhet të përcaktojnë përgjegjësitë në bazë të raporteve dhe provave zyrtare.
Standardet e arbitrimit nën pikëpyetje
Dhuna dhe përpjekjet për konfrontim nuk mund të justifikohen, pavarësisht vendimeve të gjyqtarëve. Trajnerët, drejtuesit dhe futbollistët kanë detyrimin të ruajnë kontrollin dhe të respektojnë zyrtarët e ndeshjes.
Por, në të njëjtën kohë, episodet e dy javëve të para ngrenë pikëpyetje serioze për standardin e arbitrimit, ndërhyrjet e sistemit VAR dhe mënyrën se si interpretohen raste të ngjashme.
Ilir Daja dhe Edi Martini pretendojnë se skuadrat e tyre janë dëmtuar nga vendimet dhe nga standardet e dyfishta. Reagimet e tyre kaluan kufijtë e pranueshëm, por pakënaqësia që i parapriu incidenteve nuk mund të shpërfillet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe sektori i arbitrimit.
Komisionin e Disiplinës e pret një javë me shumë punë. Por nuk mjafton vetëm ndëshkimi i trajnerëve, futbollistëve apo drejtuesve. Duhet të analizohet me të njëjtën seriozitet edhe puna e arbitrave në fushë dhe në sistemin VAR.
Sepse jemi vetëm në javën e dytë të kampionatit dhe tensioni tashmë ka arritur nivele alarmante. Nëse standardi i gjykimit nuk përmirësohet dhe rregullorja nuk zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë, Superliga rrezikon që protagonistët kryesorë të mos jenë futbollistët dhe golat, por arbitrat, protestat dhe incidentet.


