Politikë

“Drejtësia ta ndëshkojë”/ Beqaj përplaset në distancë me Lamallarin: Shteti modern nuk hakmerret…

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, për drejtësinë dhe ndëshkimin e personave të dyshuar për zjarrvënie. Në një deklaratë publike, Beqaj e vë theksin te përdorimi i fjalës “ndëshkojë”, duke argumentuar se drejtësia nuk duhet të ndëshkojë, por të gjykojë sipas ligjit.

Në reagimin e tij, Beqaj shkruan se një person në një shtet të së drejtës duhet të dyshohet, hetohet, akuzohet dhe gjykohet, ndërsa vetëm nëse gjykata e shpall fajtor mund të vijë dënimi.

Sipas tij, fjalët e përdorura nga njerëzit që ushtrojnë pushtet kanë peshë dhe për këtë arsye ai është ndalur te deklarata e Lamallarit se “drejtësia duhet të ndëshkojë zjarrvënësit”.

Beqaj argumenton se “dënimi” është pasojë juridike e një vendimi gjyqësor, ndërsa “ndëshkimi” nënkupton diçka tjetër. Ai thekson se në një shtet modern duhet të ketë ligj, procedurë, prova, të drejtë mbrojtjeje dhe, në fund, një vendim gjykate.

Reagimi vjen në një moment kur ish-ministri është vetë përballë drejtësisë. Beqaj është përfshirë në disa procese penale dhe vijon përballjen me akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa së fundmi GJKKO ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij.

Në këtë kontekst, deklarata e Beqajt mund të shihet edhe si një përgjigje politike ndaj gjuhës së përdorur nga Lamallari për drejtësinë, duke vendosur përballë njëri-tjetrit konceptin e “ndëshkimit” dhe atë të gjykimit të bazuar te ligji.

REAGIMI I PLOTË I AVOKATIT TE BEQAJT

Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
________________________________________

Drejtësia nuk duhet të ndëshkojë

Ndoshta po i kushtoj më shumë rëndësi seç duhet një fjale. Por fjalët kanë kuptim. Dhe, kur shqiptohen nga njerëz që ushtrojnë pushtet, kanë edhe peshë.

Ministri i Brendshëm, duke folur për arrestimin e një personi të dyshuar për zjarrvënie, deklaroi se “drejtësia duhet të ndëshkojë zjarrvënësit”.

Mua më tërhoqi vëmendjen folja: “të ndëshkojë”.

Gjuha shqipe ka edhe foljen “dënoj”. Dhe “dënoj” e “ndëshkoj” nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Në një shtet të së drejtës, një person dyshohet, hetohet, akuzohet, gjykohet dhe, nëse gjykata e gjen fajtor, dënohet. Dënimi është pasojë juridike e një vendimi gjyqësor. Ka ligj, procedurë, prova, mbrojtje dhe, në fund, vendim.

Ndëshkimi mbart diçka tjetër.

Ai evokon edhe idenë e shpagimit: dikush ka bërë keq dhe duhet ta pësojë. Është një koncept që e gjejmë prej shekujsh në kulturën morale e religjioze, në marrëdhëniet e autoritetit dhe të disiplinës, si dhe në një konceptim të drejtësisë ku pushteti demonstronte forcën duke ndëshkuar fajtorin.

Shteti modern është përpjekur pikërisht ta kapërcejë këtë marrëdhënie. Ai nuk hakmerret dhe nuk kërkon vuajtjen si qëllim në vetvete. Ai heton, gjykon dhe dënon sipas ligjit.

Prandaj, kjo fjalë më shqetëson edhe më shumë kur përdoret nga Ministri i Brendshëm, aq më tepër nga një politikan që, deri pak muaj më parë, ka ushtruar edhe detyrën e Ministrit të Drejtësisë.

Le të imagjinojmë një punonjës policie që dëgjon ministrin e vet të thotë se të arrestuarit duhen “ndëshkuar”.

Polici përballet çdo ditë me njerëz që mund të kenë kryer krime të rënda. Por përballë tij është një person që, juridikisht, është ende i dyshuar, jo një fajtor i dënuar. Policia nuk ka për detyrë ta ndëshkojë. Ka për detyrë të parandalojë krimin, të zbatojë ligjin, të mbledhë provat dhe të respektojë të drejtat e personit që ka përballë.

As prokurori nuk ndëshkon. Ai heton dhe akuzon.

Gjykata gjykon dhe, kur provat dhe ligji e kërkojnë, dënon.

Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Por integrimi europian nuk është vetëm harmonizim ligjesh dhe kapituj negociatash. Është edhe kulturë e ushtrimit të pushtetit.

Mund të duket një dallim i vogël gjuhësor. Por ndoshta pikërisht këto dallime tregojnë mënyrën se si e konceptojmë drejtësinë.

Nga “duhet ndëshkuar” te “duhet gjykuar sipas ligjit” ka vetëm pak fjalë diferencë.

Por ndërmjet tyre mund të qëndrojë një kulturë e tërë e shtetit.