Aktualitet

Kush i dha Joz Markut atributet e Policisë?

Nga Naim Noka

Këtu e ka marrë ferra uratën!Njëfarë tip këngëtari i quajtur Joz Marku, të cilin e kam parë duke mbledhur para me mikrofon nëpër dasma dhe që u bë i famshëm në “Big Brother VIP” pasi goditi me shuplakë Gjestin, shfaqet tashmë në rolin e cubit që mendon se qëndron mbi ligjin.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë përplasjen e tij me Eduard Kuçin, shtetas i Kosovës. Në video, Marku shihet duke e goditur me shuplakë dhe dëgjohet duke e urdhëruar: “Ulu në gjunjë!”, ndërsa Kuçi shfaqet duke u ulur.

Por çështja nuk përfundon te konflikti mes dy personave. Në vendngjarje shfaqen disa individë, automjete me fenelina dhe logo policie, si dhe persona të veshur me rroba kamuflazhi që ngjajnë me uniformat e Policisë.

Këtu situata bëhet shumë më e rëndë.

A janë këta persona pjesëtarë të Policisë së Shtetit? A janë përdorur automjete policore për një konflikt personal? Apo kemi të bëjmë me persona që kanë keqpërdorur uniformën, simbolet dhe mjetet e Policisë për të ndaluar, kërcënuar, dhunuar dhe poshtëruar një qytetar?

Nëse personat dhe automjetet e shfaqura në video janë të lidhura me strukturat e Policisë, atëherë duhet të sqarohet menjëherë se kush i ka vënë në dispozicion dhe me urdhër të kujt janë përdorur. Nëse nuk kanë lidhje me Policinë, atëherë autoritetet duhet të hetojnë përdorimin e paautorizuar të uniformave, simboleve dhe pajisjeve policore.

Ngjarja ngre edhe një shqetësim serioz për sigurinë publike: si duhet të veprojë një qytetar kur ndalohet nga një automjet me shenja policie? Si mund të jetë i sigurt se përballë ka efektivë të Policisë së Shtetit dhe jo persona që përdorin uniformën dhe automjetet policore për qëllime personale?

Policia dhe Prokuroria duhet t’i identifikojnë urgjentisht të gjithë personat e përfshirë dhe të verifikojnë origjinën e automjeteve, fenelinave, logove dhe veshjeve të përdorura. Pamjet filmike përbëjnë një pikënisje të drejtpërdrejtë për hetimin dhe dokumentimin e veprimeve të secilit.

Askush nuk mund të marrë atributet e Policisë, të ngrejë postblloqe private dhe të poshtërojë qytetarët në mes të rrugës. Autorët duhet të përballen me drejtësinë. Pastaj t’i shohim sa trima janë cubat kur të dalin përpara gjykatës.