Bashkim Koçi: Mustafa Bakiasi ose bëmë baba të të ngjaj
-Në prag të 100 vjetorit të lindjes Bashkia e Skraparit e nderon me titullin e lartë “Qytetar Nderi”-
“Veprimtaria e Mustafa Bakiasit në Luftën Nacionalçlirimtare në të shumtën e kohës lidhet me punën me rininë. Punoi fillimisht si sekretar i rinisë për fshatin e Kapinovës e më pas u aktivizua dhe punoi për të gjithë zonën e Potomit. Ai e konsideron të veçantë, madje nuk e fsheh ta etiketojë “ të shenjtë” ditën kur në Helmës iu dha rasti të takohej me Enver Hoxhën. Aty mësova që njeriu nuk duhet ta injorojë kurrë fuqinë e fjalëve. Fjalët lëvizin zemra dhe zemrat pastaj lëvizin gjithçka që është në të mirë të të gjitha punëve, thotë ai.”

Kam njohur e dëgjuar shumë raste kur fëmija nuk e ka njohur kurrë babanë e tij mbasi ai, pra babai, ka ndërruar jetë përpara se fëmija të lindë. Kanë ndodhur e do të ndodhin edhe në të ardhmen kësi ngjarjesh, por rasti që do të sjell nëpërmjet të këtyre radhëve besoj se është disi i veçantë, paksa tronditës e që të duket si diçka i sajuar. Dhe kjo, sipas meje, për shkak të kohërave të largëta kur ka ndodhur dhe të traditave të familjeve shqiptare për të ruajtur nderin dhe krenarinë e fisit.
“Fëmija” për të cilin bëhet fjalë e ka emrin Mustafa Bakiasi dhe sot është në prag të 1000 vjetorit tëlindjes. Mban emrin e babait, të kapedanit Mustafa Kapinova (Muço Kapinovës), i cili u vra pabesisht nga xhandarët e Ahmet Zogut më 15 gusht të vitit 1926 për shkak se ishte bërë i rrezikshëm për atë regjim antipopullor. Mustafai do të vinte në jetë pas disa muajsh, në janar të vitit të ardhshëm.
Për veprimtarinë patriotike të Muço Kapinovës, babait të Mustafait, janë shkruar qindra artikuj, janë përgatitur e dhënë radiodramatizime dhe së fundmi është bërë edhe një monografi ku përshkruhet jeta e tij heroike. Fjalën e kemi për të birin, për Mustafanë, i cili mbeti jetim, pa baba, qysh në djep. Por për shkak të disa rrethanave familjare që u krijuan pas vrasjes së babait, ai do të “mbetej” edhe pa nënë. Nëse shpesh thuhet që “X-si mezi e siguronte jetën, duke punuar dyerve të botës”, në rastin e fëmijës që bëjmë fjalë duhet të themi “Mustafait të vogël iu sigurua qumështi, duke pirë nga gjinjtë e nënave që porsa ishin bërë me fëmijë”. Madje është paksa e pabesueshme por, për ta rritur shëndetshëm e pa probleme, e dërguan të porsalindurin deri në Leshnje, fshat ballë për ballë Kapinovës, ku do të pinte gji për rreth 4 muaj nga nëna e Kahreman Yllit, me familjen e të cilit kishin miqësi të vjetra. Më pas do ta “degdisnin” akoma më larg, tek një miku i tyre në Kapinovë të Beratit, tek fisi i dëgjuar Saliasi, sepse nusja e shtëpisë sapo ishte bërë me fëmijë të vogël.

Mustafai, për fatin e tij të mirë, u rrit nga gjyshe Ruhija, e cila kishte zemër të duruar, që e priste me krahë hapur e që nuk e ngriti kurrë zërin për ta urdhëruar apo për ta qortuar. Në sytë e nipit ajo shikonte të birin, shikonte të ardhmen e tij, se një ditë edhe ai do t’i ngjante sadopak “trimit të nënës”.
Kam dëgjuar të thuhet se rrugët e vështira të shpien në vendmbërritje të bukura. Ashtu si ka ngjarë edhe me Mustafa Bakiasin, i cili, nëse u bë ai që është sot, njeri me të kaluar të admirueshme, veteran me reputacion, erdhi sepse për një jetë të tërë u shoqërua nga rrëzime e ngritje të panumërta, nga përplasje nga mund edhe të kishte pasur goditje të pariparueshme. Një nga “çuditë” e fillimeve të jetës së tij është aventura e gjyshe Ruhijes, e cila për ta bërë nipin të zotin e të ditur, shfrytëzoi çdo mundësi, të gjitha hapësirat që i lejonin shkollimin e tij. Lexuesit po i sjellim faktet dhe ai le të gjykojë me mendjen e tij për atë çka ka bërë gjyshja-plakë për nipin. Dhe ja faktet. Meqë në Kapinovë nuk kishte ende shkollë fillore, gjyshe Ruhija e dërgoi Mustafanë e vogël tek një miku e tyre në fshatin Dushar të Korçës. Larg, shumë larg Kapinovës, gjë që e bënte të pamundur komunikimin e djalit me familjarët, sidomos me gjyshen. Aty përfundoi dy vitet e para. Vinte me pushime gjatë muajve të verës, por fillimi i vitit shkollor e gjente në Dushar. Pastaj u gjykua që fëmija të sistemohej diku më afër, në Leshnje, tek familja e Yllajve, tek xha Sinani, i cili, si mik i rrallë i Muço Kapinovës, tashmë i vrarë nga regjimi i Zogut, u tregua bujar e i gjendur që Mustafai të qëndronte aty dy vite të tjerë për të përfunduar ciklin e shkollës fillore.
Po më tej çdo të bëhej? Vendimi ishte marrë që djali i mbetur jetim, me hir apo me pahir, do të shkollohej duke bërë të pamundurën, duke trokitur tek miqtë më të besuar të familjes. Pas debatesh e konsultimesh me të gjithë të parët e fisit, u gjykua që Mustafai të vijonte klasën e pestë dhe të tjerat me radhë, në Vithkuq, aty ku u bë garant një familje e cila kishte për traditë jo të krijonte famë, tituj apo pasuri, por të gjente miq dhe të krijonte lidhje ku mund të kishe siguri e besim. Vajti djali në Vithkuq, e përfundoi klasën e pestë me rezultate shumë të mira. Por vetëm kaq sepse filluan luftërat. Vendi u pushtua nga Italia fashiste e më pas filloi Lufta e Dytë Botërore.
Fëmijët zakonisht nuk mbajnë mend gjërat materiale që u janë ofruar, por për ndjenjat që u janë dhuruar atyre. Mustafa Bakiasi, ashtu si u ushqye me qumështin e disa nënave, ashtu do të merrte edhe bekimin e tyre me shumicë për t’u bërë njeri, as më shumë e as më pak, por si i ati, si Muço Kapinova. Unë nuk di se si e qysh ai të ketë mundur të njihej me bëmat e trimëritë e babait të tij luftëtar e patriot, kur ishte ende fëmijë, por di tjetrën që ky njeri u bë pjesë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare qysh sa ishte ende i parritur. Gjatë viteve të luftës italo-greke, 1940-1941, qëndroi pranë familjes në Kapinovë, vite që mund t’i konsiderojmë se kohë “pushimi” për Mustafa Bakiasin. Fill pas kësaj periudhe, në 1942 ai u bë pjesë e formacioneve partizane territoriale të zonës së Skraparit. Madje Mustafai mban mend se në shtator të vitit 1943 ka marrë si dhuratë një pushkë nga luftëtari, komandanti legjendë i atyre anëve, Mestan Ujaniku. Ishte pushkë italiane, kujton ai, të cilën e ruaja si një gjë të shtrenjtë, sepse kur ma dhuroi xha Mestani armën, mu duk vetja “i madh”, i denjë që mund të qëndroja krah luftëtarësh që deri atëherë takimin me ta e konsideroja vetëm si një ëndërr.
Veprimtaria e Mustafa Bakiasit në Luftën Nacionalçlirimtare në të shumtën e kohës lidhet me punën me rininë. Punoi fillimisht si sekretar i rinisë për fshatin e Kapinovës e më pas u aktivizua dhe punoi për të gjithë zonën e Potomit. Ai e konsideron të veçantë, madje nuk e fsheh ta etiketojë “ të shenjtë” ditën kur në Helmës iu dha rasti të takohej me Enver Hoxhën. Aty mësova që njeriu nuk duhet ta injorojë kurrë fuqinë e fjalëve. Fjalët lëvizin zemra dhe zemrat pastaj lëvizin gjithçka që është në të mirë të të gjitha punëve, thotë ai.
Formimi dhe bindja e njeriut është gjithmonë produkt i rrethanave ku ai ushtron veprimtarinë e tij. Në këtë kuptim ai është gjithmonë zotërues i rrjedhës së jetës së tij dhe kurrsesi si një aksident. Kjo gjë kaq e plotkuptimtë vihet re edhe në jetën e Mustafa Bakiasit i cili menjëherë pas Çlirimit të vendit u përfshi vrullshëm, gati në të gjitha aksionet e rinisë që u ndërmorën për rindërtimi e vendit. Kur mësova sesa i gatshëm është treguar ky njeri në thirrjen që i është bërë për të marrë pjesë vullnetarisht në ndërtimin e rrugës së Rinisë Kukës-Peshkopi e Berat-Çorovodë në vitin 1946, si dhe thirrjes tjetër për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin në vitin 1947, mendja më shkoi tek veprimtaria revolucionare e të atit, Muço Kapinovës, i cili po ashtu, shkoi e u bë pjesë e vullnetarëve që morën në mbrojtje punimet e Kongresist të Lushnjës nga 21 deri 31 janar të vitit 1920 dhe disa muaj më pas, po të atij viti, u vu në krye të 200 vullnetarëve skraparas për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total që do t’i bënin Shqipërisë pushtuesit italianë. Dikush mund ta konsiderojë një rastësi por, sipas meje, kurrsesi jo. Vullneti dhe gatishmëria e Mustafa Bakiasit i kishte këto veti të trashëguara nga i ati, nga gjyshi e ca më tutje, ku ishin si ajo pema e cila sa më të madhe ta ketë kurorën aq më të thella i ka rrënjët. Në këtë kuptim Mustafai kishte veshur “këpucët e të atit”, qëndronte tek e kaluara e familjes, të të gjithë fisit, duke i jetuar ngjarjet që kalonte vendi pas Çlirimit me shpirt e dhimbje të madhe. Që të vlerësosh e të gjykosh punën e më shumë se gjysmë shekulli të Mustafa Bakiasit, është si të shkelësh dhe të kalosh nëpër shtigjet e jetës të një njeriu me karakter të pathyeshëm.
Logjika udhëzon vetëm një pjesë të vogël të njeriut, ndërsa pjesa tjetër i bindet pasionit dhe ndjenjave të vërteta. Ndërsa shikoj dhe njihem me punën afro një gjysmë shekulli të Mustafa Bakiasit, të cilën e ka nisur me hapa të vegjël, por të sigurt për të “udhëtuar” gjatë, mendja më shkon tek mundësitë që paska njeriu për të qëndruar deri në fund besnik “marrëzisë” për të ndryshuar veten dhe shoqërinë. Ai të gjithë karrierën ia kushtoi shërbimit ushtarak, të disa sektorëve që, veç aftësive për profesionin, i duhej edhe diçka tjetër, të ishe përfaqësues i denjë i një shteti serioz.
Si të gjithë edhe Mustafa Bakiasi është pjesë e teatrin të jetës shqiptare. Por kurrë, asnjëherë si spektator. Madje për çka i ka dhënë vendit, nga lufta e deri më sot, është vlerësuar, duke qenë “pronar” i disa urdhrave e medaljeve. Ai gëzon edhe titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it”. Sigurisht nën shembullin “bëm baba, të të ngjaj”, të Muço Kapinovës, i cili kohët e fundit u nderua me titullin “Shqiponja e Artë”. Thuhet se çdo baba duhet të kujtojë, se një ditë, djali i tij do të ndjekë shembullin e tij. Mustafa Bakiasi besoj se është një shembull që e vërteton këtë gjë.
Dhe ja tani, në prag të 100 vjetoriit të lindjes, Bshkia e Skraparit i jep titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Ta gëzosh dhe ta trashgosh në brëza këtë nder që po të bën vendlindja Mustafa Bakiasi!


