Aktualitet

“U fsheh në tualetin e shtëpisë së shokut për t’i shpëtuar policisë”, zbardhen detajet e arrestimit të Jozit

Jozefin Marku raportohet se është gjetur nga oficerët e Policisë së Tiranës, i fshehur në tualetin e shtëpisë së shokut të tij Kristjan Nikolli, i cili gjithashtu është arrestuar si një nga personat që ka marrë pjesë në dhunimin e Eduart Kuçit.

Jozefin Marku, 30 vjeç, akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

News 24 raporton se për t’i shpëtuar Policisë, këngëtari është gjetur i fshehur në tualetin e shtëpisë së shokut të tij Kristjan Nikolli, 31 vjeç. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.

Veç Jozefin Markut dhe Kristjan Nikollit, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u shpallën në kërkim shtetasit Anton Huli, 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin Eduart Kuçi, 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre në rrjetet sociale.