Politikë

Iu sekuestrua vila në Palasë/ PD: SPAK t’i kërkojë sërish Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut, t’i hapet rrugë arrestimit! Test për integrimin në BE

Sekuestrimi i vilës së dytë që SPAK thotë se është në pronësi faktike të Belinda Ballukut ka sjellë reagimin e opozitës. Bardhi dhe Tabaku kërkojnë që SPAK t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit, ndërsa Korreshi kërkon ngritjen e një Task-Force për hetimin e pasurive të ministrave.

Sekuestrimi i vilës në Palasë dhe rëndimi i pozitës penale ndaj Belinda Ballukut solli reagime nga opozita, e cila kërkon që SPAK t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të re për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.

“Edhe sa vila të padeklaruara duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut, në mënyrë që SPAK të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj? Peshorja e drejtësisë nuk duhet të anojë më nga interesi politik i Edi Ramës!”, shkroi kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.

Të njëjtën kërkesë ka edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku. Ajo akuzon mazhorancën se po i ofron Ballukut mbrojtje politike në Parlament dhe kërkon që Kuvendi t’i hapë rrugë drejtësisë, duke  ekonisderuar cështjen e saj si një test për rrugën drejt BE-së.

Belinda Balluku, e pandehur për shkeljen e barazisë në tetë tendera, përballet edhe me akuza të reja për korrupsion dhe pastrim parash. Hetimet vazhdojnë. Faktet që paraqet SPAK shtohen. Mbrojtja politike me kartona vazhdon!

Kjo mburojë duhet të marrë fund. SPAK t’i drejtohet Kuvendit për autorizimin e masave të nevojshme. Parlamenti t’i hapë rrugë drejtësisë! Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Edhe për Ballukun. Edhe për pushtetin e Ramës. Ky është test për Shqipërinë dhe për integrimin europian”, shkroi Tabaku.

Ndërsa deputeti demokrat Saimir Korreshi e zhvendos vëmendjen te pasuritë e zyrtarëve. Duke iu referuar vilës së sekuestruar në jug, ai kërkon nga SPAK që të ngrejë një Task-Forcë për të hetuar pasuritë e ministrave.

“I gjendet vila 410 mijë euro në jug, ja si përbëtohej Balluku se nuk ka 300 aparatamente as jahte. A i betonizuan ministrat paratë e korrupsiomit dhe pse SPAK nuk ngre Task Forcë për apartamentet e ministrave?”, shkruan ai.

Gjykata ka vendosur sekuestrimin e një tjetër vile, në Palasë, “në pronësi faktike” të Belinda Ballukut, por të fshehur edhe këtë herë nën emrin e ish futbollistit të njohur të kombëtares, Igli Tare. Vila, sipas Prokurorisë së Posaçme, është marrë në këmbim të të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e shpallur fituese bashkë me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milion eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së madhe të Tiranës.

Përveç dyshimeve për shkelje të barazisë në tenderë në 8 raste (Tuneli i Llogarasë, 6 lote të Unazës së Madhe dhe ndërtimi i rrugës Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana), për korrupsion e pastrim parash, Ballukut i është shtuar dhe një tjetër vepër penale, ajo e “mosdeklarimit apo fshehjes së pasurisë”.

Më herët SPAK i kishte sekuestruar Ballukut edhe një tjetër vilë, po në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rock” në Dhërmi, edhe kjo e regjistruar në emër të Tares.