Bota

Do të japin llogari për çdo…/ Pas dyshimeve për abuzime, forcohet kontrolli mbi kompanitë e naftës

Gjermania po shkon drejt një ndërhyrjeje të fortë në tregun e karburanteve, pasi çmimet janë rritur ndjeshëm dhe mbi mesataren europiane.

Qeveria pritet të çojë në parlament një projektligj që forcon kontrollin mbi kompanitë e naftës, duke i detyruar ato të provojnë se nuk po abuzojnë me çmimet. Ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche, tha se rritja në pikat e karburantit është më e lartë se në vendet e tjera të BE-së dhe se industria nuk ka dhënë shpjegime bindëse.

Me ndryshimet e reja, autoriteti i konkurrencës në Gjermani do të ketë më shumë fuqi për të hetuar dhe ndalur menjëherë rritjet e pajustifikuara, sidomos në tregun me shumicë. Ndryshe nga sa ndodh aktualisht, barra e provës do të kalojë te kompanitë, të cilat duhet të tregojnë qartë si janë formuar çmimet.

Një tjetër masë konkrete është kufizimi i rritjes së çmimeve nga pikat e karburantit, të cilat në të ardhmen do të mund t’i ndryshojnë ato vetëm një herë në ditë.

Rritja e çmimeve lidhet me situatën globale, ku lufta në Lindjen e Mesme ka sjellë tensione të forta në tregun e naftës. Përplasja mes SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër ka çuar në bllokimin pothuajse total të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës dhe gazit.

Për të përballuar situatën, Gjermania është mes vendeve që po përdor rezervat strategjike të naftës, në kuadër të një ndërhyrjeje të madhe ndërkombëtare prej rreth 400 milionë fuçish. Paralelisht, qeveria po shqyrton edhe krijimin e një rezerve strategjike gazi për raste emergjente, e cila synohet të jetë funksionale që dimrin e ardhshëm.

Ministrja Reiche tha se aktualisht nuk ka mungesë furnizimi me naftë, gaz apo benzinë, por theksoi se masat po merren për të shmangur abuzimet dhe për të mbajtur nën kontroll çmimet në një situatë të tensionuar globale.