Bota

Jep dorëheqjen zyrtari i lartë amerikan i Antiterrorit, i bën thirrje Trump për luftën: Ndrysho kursin

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj luftës së vazhdueshme në Iran.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, Kent tha se vendimi erdhi pas një periudhe të gjatë reflektimi.

“Pas shumë shqyrtimesh, kam vendosur të jap dorëheqjen si drejtor i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, me efekt të menjëhershëm. Nuk mundem, me ndërgjegje të pastër, të mbështes luftën e vazhdueshme në Iran”, shkroi ai.

Kent shtoi se, sipas vlerësimit të tij, Irani nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm për Shtetet e Bashkuara dhe pretendoi se përfshirja në konflikt erdhi si pasojë e presionit nga Izraeli dhe lobet pro-izraelite në SHBA dhe i kërkoi presidentit Trump të ndryshojë ‘kursin’.

Dorëheqja e Kent përbën largimin e parë të rëndësishëm nga administrata e presidentit Donald Trump që prej nisjes së konfliktit.

Me largimin e tij, Kent bëhet zyrtari më i profilit të lartë brenda administratës së presidentit Donald Trump që kritikon hapur operacionin SHBA–Izrael në Iran.

Në letrën e dorëheqjes, ai theksoi se më parë kishte mbështetur politikën e jashtme të Trump, duke besuar se presidenti kishte arritur në përfundimin se luftërat në Lindjen e Mesme kishin kushtuar shtrenjtë për SHBA-në, si në jetë njerëzish ashtu edhe në ekonomi.

Kent përmendi edhe këtë humbje personale në letrën e tij, duke theksuar se nuk mund të mbështesë “dërgimin e brezit të ardhshëm për të luftuar dhe për të vdekur në një luftë që nuk i shërben popullit amerikan”.

Një mbështetës i hershëm i Trump, Kent kandidoi dy herë pa sukses për në Kongres. Ai u nominua për këtë post në fillim të mandatit të dytë të presidentit dhe u konfirmua me një diferencë të ngushtë, mes kritikave nga demokratët për lidhjet e tij me figura të lidhura me grupe ekstremiste, përfshirë Proud Boys.

Gjatë seancës së konfirmimit, ai gjithashtu nuk u tërhoq nga pretendimet se agjentë federalë kishin nxitur trazirat e 6 janarit në Kapitol dhe se Trump kishte fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Në detyrën e tij, Kent raportonte te Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe mbikëqyrte analizën e kërcënimeve terroriste në nivel global.