Aktualitet

Adriatik Dashi & Kastriot Caka: 40 vjet në pritje për titullin “Dëshmor i Atdheut” për kufitarin Mehmet Dashin, rënë në krye të detyrës

Nga Shoqata Kombëtare kulturore Tomorri e Shqipërisë

Adriatik Dashi (vëllai i Heroit)
Kastriot Caka(gazetar)


Mehmet Ismail Dashi, djali 20 vjeçar nga Poliçani, kufitari trim dhe sypatrembur dha jetën para 40 vitesh në krye të detyrës në pikën kufitare të Rep. Nr 293/b në Gjenovec- te rrethit Dibër.

Kanë kaluar 40 vjet nga ajo kohë kur kufitari Mehmet Dashi dha jetën në krye të detyrës në mënyrë aksidentale teksa kryente shërbimin ushtarak. Mehmeti ishte një djalë trim dhe burrëror edhe pse ishte 20 vjeç. Asnjëherë nuk i trëmbej syri as ditën dhe as natën në ruajtje të kufirit nga bandat dhe keqbërësit që i kanoseshin atëherë Shqipërisë.

Gjë që e thonë shokët e tij të asaj kohe që kreu shërbimin ushtarak, e thotë sot komandanti dhe komisari i tij. Ja si shkruan komanda e Repartit: “Mehmet Ismail Dashi kreu detyrën me nder, guxim dhe besnikëri të lartë ndaj Betimit Ushtarak duke sakrifikuar rininë dhe jetën e tij në mbrojtje të kufijve të Atdheut. Ne që ndamë me të vështirësitë e shërbimit e kemi për detyrë moral, qytetar dhe njerzor që sakrifica e tij të mos mbetet në harresë, por të vlerësohet zyrtarisht nga shteti Shqiptar.” Humbja e jetës të Mehmetit ishte nje dhimbje e madhe jo vetëm për familjen por dhe për shokët dhe eprorët e repartit ku ai shërbeu 2 vite me radhë. Ata ruajnë kujtimet më të bukura për këtë djalë trim dhe të dashur me të gjithë. Poliçani qyteti ku ai lindi dhe u rrit e priti birin me dhimbje të madhe. Prindërit përjetuan momentet më të tmerrshme në jetën e tyre, por dhe krenarë që djali i tyre dha jetën në krye të detyrës si patriot për ruajtjen e kufijve të Atdheut. Vitet kaluan dhe akti heroik i Mehmetit mbeti në harresë, përveç vlerësimeve nga komanda dhe institucioneve të tjera me përshëndetje, urime familjes, çertifikata dhe vetëm kaq. Familja përherë ka kërkuar nga organet kompetente të shtetit për një vlerësim më të madh, për ti dhënë titullin “Dëshmor i Atdheut”. Familja përherë ka kërkuar në institucionet lokale dhe ato qëndrore, i është bërë kërkesë: Këshillit Bashkiak Poliçan, Këshillit të qarkut Berat, Komitetit të Veteranëve Poliçan dhe Berat. Kërkesën e ka bërë familja e Kufitarit të rënë dhe ish efektivi dhe Komanda e Repartit Gjinovec në vitin 1985, për shpalljen e statusit ” Dëshmor I Atdheut”për kufitarin Mehmet Ismail Dashi në bazë të ligjit 173 dt 22.10.2009(i ndryshuar) Me gjithë këtë interesim, lutje dhe kërkesa në këto organet përsëri çështje ka mbetur pezull pa përgjigje. Familja nuk do të rresht dhe do të kërkojë vazhdimisht që të vihet në vend dinjiteti i birit të tyre që dha jetën në lulen e rinisë për një çështje të madhe, ruajtjen e Atdheut! Kërkojmë nga gjith opinioni shoqëror dhe nga institucionet e Shtetit Shqiptar të mos heshtin por të çojnë në vend këtë ëndërr të etërve të tyre.!