Aktualitet

Skandali/ Inspektorët e AKU refuzuan urdhërin e Ministrit për bllokimin e 104 ton misër te pularia “Modi Sh.p.k”!

Inspektorët e AKU Shkodër nuk respektuan urdhrin e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, të cilët që nga muaji nëntor ata duhet të analizonin çdo ngarkesë me misëri që importohej në Shqipëri.

Por kjo komandë nuk u zbatua për subjektin pulari Modi në Malësi të Madhe.

Gjatë dy muajve të fundit të 2025 ky biznes ka importuar 104 ton misër serb të kontaminuar me alfaltoksinë.

Duke qenë jashtë rrezes së AKU-së 94 ton misër me myk shkoi ushqim për pulat.

Sipas Kryeinspektorit Dashnor Sula, produktet e mishit dhe të vezëve nga ky biznes nuk janë të rrezikshme për konsumatorin, edhe pse është shkelur ligjet e sigurisë ushqimore.

“Në vijim të verifikimeve është konstatuar që subjekti ka importuar rreth 104 ton misër rifuxho të importuar të importuar gjatë muajve nëntor-dhjetor të 2025. Nga kjo sasi kanë mbetur vetëm 9.5 ton në gjendje të magazinimit. Ndërsa pjesa tjetër është konsumuar në këtë pulari Modi sh.p.k në Malësi të Madhe”, deklaroi Sula.

Ndaj 10 inspektorëve të AKU-së që shmangën bllokimin e misrit që në doganë, është ngritur grupi disiplinor, pasi ky produkt nuk duhet të kishte hyrë në Shqipëri.

“Gjithë problemi që do të duhej që ky misër të ishte bllokuar në pikën doganore të Hanit të Hotit. Në momentin që një ngarkesë ka dyshime që nuk është brenda standardeve duhej të ishte analizuar dhe kampionet në doganë nuk janë marrë”, shtoi Sula.

Kurse ndaj operatorit të biznesit ushqimore që prodhon mish dhe vezë është zbatuar masa administrativ me 5 gjoba si dhe çështja ka kaluar në prokurori për ndjekje penale, pasi siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare.