SHBA/Washington: Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor
Nga Beqir SINA – New York
Seancë dëgjimore : SHBA-ja kërkon stabilitet, luftë ndaj krimit transnacional dhe njohje të Kosovës

WASHINGTON D.C.: Sot, më 15 shtator 2026, në sallën 2172 të ndërtesës Rayburn House në Uashington, Nënkomisioni për Evropën i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbajti seancën dëgjimore “Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”.
“Dëshmitari” i vetëm ishte Daniel J. Lawton, zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike.
Seanca u zhvillua nën drejtimin e kongresmenit republikan Keith Self dhe demokratit Bill Keating.
Lawton prezantoi zyrtarisht kthesën e administratës Trump. Ai citoi nënsekretarin Landau se “epoka e ndërtimit të kombit nga jashtë ka mbaruar” dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk ofrojnë mjete të pakufizuara për objektiva të paspecifikuara, të pasigurta dhe jorealiste”.
Strategjia e re mbështetet në tre shtylla: ruajtjen e stabilitetit, avancimin e interesave ekonomike amerikane dhe luftën e kompromisshme ndaj kërcënimeve të sigurisë, përfshirë organizatat kriminale transnacionale ballkanike që bashkëpunojnë me kartelet e Hemisferës Perëndimore.
Për Shqipërinë, Lawton ishte i drejtpërdrejtë: “Po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar aksesin në treg për kompanitë amerikane. Një kredi e fundit e Financimit Ushtarak të Jashtëm do të ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e shpenzimeve të NATO-s dhe të rrisë blerjet e pajisjeve të prodhuara në SHBA,” tha ai.
Ky mesazh vjen në një kohë kur Uashingtoni thekson bashkëpunimin operacional me Tiranën si aleat të NATO-s.
Për Kosovën, Lawton tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe interesave të saj.
“SHBA mbështet njohjen ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe katër vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur.”
Ai vuri në dukje se kjo agjendë është dëmtuar nga zgjedhjet e përsëritura dhe vonesat në formimin e institucioneve, duke u bërë thirrje liderëve kosovarë ta përfundojnë procesin sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
KFOR-i, tha ai, mbetet thelbësor për mjedisin e sigurt, me kontribut të vazhdueshëm amerikan.
Mbi dialogun Kosovë-Serbi, Lawton, theksoi se normalizimi është jetik për stabilitetin rajonal. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka ngecur: “U bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që t’i shmangin provokimet dhe t’i hyjnë diskutimeve pa parakushte.”
Ai vlerësoi se rikthimi në bisedime do të ndihmonte edhe avokimin amerikan për njohje të reja.
Për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, Lawton shprehu dyshime se ato “nuk do të jenë të lira” dhe përmendi rrezikun e ndërhyrjes së “kriminelit të luftës Putin”.
Seanca u zhvillua në një kontekst të tensionuar edhe brenda Kongresit. Demokratët e nënkomisionit publikuan një raport që kritikon heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodikut dhe mbështetjen për një kontratë gazsjellësi në Bosnje të lidhur me aleatë të administratës.
Kongresmeni Self, i cili më herët vizitoi Kosovën dhe Luginën e Preshevës, ka nismë për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Serbi.
Përfundimi i seancës dërgon një mesazh të qartë se Uashingtoni kërkon partnerë që marrin përgjegjësi, luftojnë krimin e organizuar dhe shmangin provokimet.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, kjo do të thotë vazhdim i aleancës, por edhe presion për rezultate konkrete në siguri, institucione dhe dialog.
Diaspora shqiptare në SHBA e cila ishte me Organizatën Albanians For America (AFA), e përfaqësuar nga Doc Vranici dhe Gino Mulliqi po ndjek këtë zhvillim me vëmendje, sepse vendimet e sotme në Rayburn House prekin drejtpërdrejt të ardhmen e rajonit dhe të shqiptarve ne Ballkanin perendimor.


