Beqir Sina: Dasma e djalit të Presidentit Trump në Bahama, me para ruse, dhe, rezortet e dhëndrrit Jared Kushner në Sazan e Zvernec Shqipëri
Beqir SINA – New York
Senatori amerikan Chris Murphy doli në Senat me një fjalim të ashpër pasi u zbulua se oligarku rus Umar Kremlev, i lidhur ngushtë me Vladimir Putinin, që pagoi qindra mijëra dollarë për festimet e dasmës së Donald Trump Jr. në ishuj privatë të Bahamasit.
Murphy e quajti këtë «korrupsion të hapur në sytë e të gjithëve» dhe tha se po bëhet rutinë.
Sipas ProPublica, që publikoi e para videon, Kremlev financoi koston e ishullit privat (rreth 100 mijë dollarë natën), fishekzjarrët dhe pjesë të organizimit.
Pagesat kaluan përmes një kompanie në Dubai të lidhur me Shoqatën Ndërkombëtare të Boksit, të cilën ai e drejton dhe e cila është financuar nga Gazprom.
Kremlev është sanksionuar nga Ukraina, ka marrë “Urdhrin e Miqësisë”, nga Putini, dhe e shoqëroi atë në Kinë, pak ditë para dasmës. Donald Trump Jr. dhe gruaja e tij e pranuan dhuratën, duke e quajtur “mik të dashur”.
Ndërsa, Presidenti Trump, tha se nuk e njeh personin dhe se ceremonia ishte e ndarë nga festimet, Eric Trump, deklaroi se nuk e kishte dëgjuar kurrë emrin e tij.
Murphy vuri në dukje se ky nuk është rast i izoluar. Pasi sipas tij familja Trump, ka pasur prej kohësh lidhje biznesi me para ruse.
“Pas kthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, tha ai, ndihma për Ukrainën është bllokuar, sanksionet ndaj naftës ruse janë lehtësuar dhe Putini paraqitet si palë e dëmtuar.Moska paguan familjen, Uashingtoni i lehtëson Putinit rrugën,” theksoi senatori i Connecticut-it.
Ai pyeti kolegët republikanë se a do të qëndronin të heshtur po të paguante Irani dasmën e djalit të Bidenit? Përgjigjja e tij ishte: Jo askush nuk do ta pranonte.
Mirëpo, të njëjtën logjikë Murphy e ngriti edhe për Tiranën, më 20 maj 2026, në seancën e konfirmimit të Eric Wendt si ambasador i SHBA-së.
Jared Kushner dhe Ivanka Trump planifikojnë një kompleks luksoz në ishullin Sazan dhe në bregun e mbrojtur të Zvërnecit, me vlerë miliarda euro.
Ndërsa, Kryeministri Edi Rama i dha kompanisë së lidhur me Kushnerin statusin e “investitorit strategjik, pas takimeve në jaht dhe në Davos.
Projekti ka shkaktuar protesta që kanë kaluar 107 ditë dhe ka hapur hetime të SPAK-ut, si dhe debate për tokën e mbrojtur.
Murphy tha në pyetjen e tij në senat(20 maj 2026): «Ka një listë gjithnjë e më shqetësuese rastesh në Ballkan, ku familja Trump, dhe aleatët politikë të presidentit po përdorin afërsinë me pushtetin për t’u pasuruar. Ka çështjen me hotelin Trump në Beograd, gazsjellësin e aleatëve të tij dhe një rast në zhvillim në Shqipëri, ku disa konsulentë politikë të presidentit po fitojnë miliona dollarë duke këshilluar opozitën.”
“Në Shqipëri, një vend që ka bërë progres kundër korrupsionit, jam i shqetësuar tha ai, se diplomatët tanë po kërkojnë të lehtësojnë kontrata, që nuk janë në interes të SHBA-së, por që mbushin xhepat e njerëzve pranë presidentit. Andaj dua një angazhim personal që ju nuk do të lehtësoni bizneset që shërbejnë interesa private. Ambasada jonë duhet të luftojë korrupsionin, jo ta ndihmojë.»
Wendt ju përgjigj Murphyt, se nuk jam i njohur me investimet personale të familjes së presidentit në Shqipëri. Nëse ka pyetje për aktivitetet e tyre, ju drejtoj ti beni te ata. Detyra ime si ambasador është të mbështes bizneset amerikane. Të gjitha, pa trajtim preferencial apo diskriminues sipas individëve. Dua që gjërat të bëhen siç duhet, që sundimi i ligjit të respektohet dhe fusha e lojës të jetë e barabartë. SPAK, nga sa kam lexuar, ka qenë e efektshme. Do të shoh në terren çfarë po ndodh.”
Murphy e mbylli kohën e tij duke thënë se : “Fjala “fushë e barabartë” është ajo që ka rëndësi, sepse tani nuk duket e tillë.”
Këto deklarata vijnë në momentin kur projektet “strategjike” në Zvërnec dhe Vjosë-Nartë, në Shqipëri janë në qendër të debatit. Por që deri tani nuk ka ende prova që lidhin drejtpërdrejt Uashingtonin me incidentet në terren.
Megjithse, fakti politik mbetet i rëndë, dyshimet janë për interesa private që u ngritën në Senat, dhe janë duke protestuar shqiptarët tash 108 ditë me radhë.
Me këto protesta është treguar se shqiptarët nuk janë kundër investimeve dhe zhvillimit të vendit të tyre e sidomos ato amerikane. Porse janë kundër pazareve, mjegullës dhe mungesës së transparencës.
Së fundmi nëse edhe Senati kërkon garanci, qeveria shqiptare dhe kryeministri i Edi Rama, nuk mund t’i trajtojë protestat “Revolucioni i Flamingoes” të cilat janë një lëvizje e madhe proteste në vazhdim në Shqipëri, 5 kërkesat e tyre , dhe pyetjet e qytetarëve si propagandë apo si “broçkulla ideologjike” dhe duke i etiketuar disa prej organizatorëve si njerëz me “mentalitet fashist”.
Rama ka deklaruar prerazi se, ndonëse është i hapur për dialog me qytetarët, nuk ka absolutisht asnjë qëllim të hyjë në negociata apo të ndryshojë politikat e tij. Ai deklaroi: “Ata nuk do të më ndryshojnë mendjen… Ata që duan të më largojnë do të duhet të presin edhe shumë gjatë.”
Kërkesat e protestuesve dhe pyetjet e tyre që janë legjitime: “Sovraniteti i Shqipërisë, dhe transparenca është detyrim”.
Nga dasma e paguar nga një i afërt i Putinit në Bahama, javën e kaluar dhe deri te rezortet në Sazan e Zvërnec, tre vjet më parë në Shqipëri, shfaqet i njëjti model ku biznesi i familjes presidenciale në SZhBA përzihet me pushtetin.
Senatori demokrat i Connecticut Chris Murphy, po kërkon atë që Senati të vendosë një kufi.
Pasi nëse ky kufi nuk vendoset, ndikimi i hapur mbi familjen presidenciale rrezikon të bëhet rregull, edhe në vende që SHBA i kanë aleatë si Shqipëria.


