Aktualitet

Mashtronin qytetarët që donin të blinin apartamente, në pranga çifti i agjentëve imobiliar në Tiranë! Përfituan 300 mijë euro

Një çift në Tiranë ka rënë në pranga pasi dyshohet se kanë mashtruar qytetarët se do t’iu blinin apartamente. Çifti i agjentëve imobiliar, Elvis Ramca dhe Veriana Ziu, pasi përvetësonin paratë, falsifikonin mandate banke për t’i bindur qytetarët se paratë ishin depozituar.

Burime bëjnë me dije se Policia e Tiranës ka dokumentuar dy raste të mashtrimit, pas denoncimeve që kanë bërë qytetarët. Pasi u merrnin paratë qytetarëve, çifti i çonte faturat fiktive edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.

Me mashtrimin e dy personave, çifti dyshohet se ka përvetësuar 300 mijë euro, ndërsa hetuesit dyshojnë që të mashtruar të jenë edhe të tjerë, për të cilët po punohet për zbardhjen e tyre.