Politikë

Berisha kritikon fjalimin e Ramës në OKB: Nuk përmendi as Kosovën e UÇK-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama lidhur me fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Berisha e ka cilësuar këtë dalje si përfaqësimin më të turpshëm që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në arenën ndërkombëtare, duke e krahasuar me fjalimet e ministrave të Jashtëm të periudhës së diktaturës apo të Koresë së Veriut.

Lideri i opozitës deklaroi se fjalimi i kreut të ekzekutivit u mbajt përpara një salle thuajse të zbrazur, gjë që sipas tij përbën një akt përçmimi madhor nga komuniteti ndërkombëtar.

Berisha theksoi se Rama, i përfshirë nga skandalet e njëpasnjëshme dhe i tmerruar nga protestat qytetare e rinore në vend, zgjodhi t’i kushtojë fjalën e tij tematikës së algoritmit.

Sipas Berishës, fokusimi te teknologjia dhe algoritmi tregon frikën që ka kapur kryeministrin, ndërsa shmangu tërësisht sfidat reale dhe çështjet kryesore me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni.

Një tjetër pikë ku Berisha u ndal gjatë ishte mospërmendja e Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë fjalës së kryeministrit në OKB. Berisha u shpreh se Edi Rama nuk shqiptoi asnjë herë të vetme fjalën Kosovë, UÇK apo liderët e saj, duke e cilësuar këtë si një akt tradhtie kombëtare.

Berisha: Fjala e padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë apo të atyre të Koresë së Veriut.

Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fantaksur, i tmerruar nga protesta rinore qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, ia kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi.

Në atë sallë, e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor, ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së. Tradhtia i ka zënë grykën. Histori e turpshme.

Në atë sallë, në një fjalim të shkëlqyer, kryeministri i Kroacisë foli si të ishte kryeministri i Shqipërisë. Ai denoncoi veprimet e Beogradit, nderimet ushtarake që iu bënë monstrës së gjenocidit të Bosnjës, Ratko Mlladiqit, përpjekjet destabilizuese të Beogradit në Kosovë.

Dhe për probleme të tjera të rajonit. Kurse, për Edi Ramën, universi i tij ishte algoritmi, që, në fakt, i ka kallur tmerrin dhe datën në çdo qelizë të tij.