Prof. Dr. Anastas Angjeli: Universitetet në Epokën digjitale, sfidat ekonomike dhe gjeopolitike
(Kjo periudhë është interesante për të gjithë të rinjtë, pasi të zgjedhin degët e studimit, duke qenë në koherencë edhe me zhvillimet e tregut të punës, që kushtëzohen nga zhvillimi I teknologjisë dhe Inteligjenca Artificiale. Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë shpjegon në një intervistë me gazetaren Aurora Sulçe, në podcastin e UMSH-së, kurrikulat që i japin avantazh këtij universiteti që ka hyrë tashmë në vitin e 18-të tij. Drejtimet e reja që ofrohen, me qëllim që të rinjtë të kenë më shumë mundësi zgjedhje.
Në këtë intevistë, akademik. Prof.Anastas Angjeli analizon edhe zhvillimet kryesore në vend dhe botë, si rritja e çmimeve të ushqimeve dhe naftës, vendimet e Bankave Qendrore në botë përballë rrezikut të krizës së inflacionit, forcimin e lekut apo edhe Samitin e 18-të të vendeve të BRICS, të zhvilluar në New Delhi.)

Aurora Sulçe: Përshëndetje dhe mirë se erdhët në podcastin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Unë jam Aurora Sulçe. Është interesante, në fakt, kjo periudhë, duke pasur parasysh se jemi në një kohë regjistrimesh dhe të gjithë të rinjtë janë shumë të interesuar, por edhe përballen me dilema të forta lidhur me degën që duhet të zgjedhin, duke pasur parasysh pasionin e tyre, nga njëra anë, por edhe nevojat dhe kërkesën që vjen nga tregu i punës.
Në këtë kontekst, dinamika është shumë interesante. Ka zhvillime në ekonominë vendase, por edhe në ekonominë globale, me gjithçka që po ndodh në koniunkturat, si në tregjet financiare, ashtu edhe me zhvillimin e teknologjisë. Për të zhvilluar një bisedë lidhur me të gjitha këto zhvillime, por mbi të gjitha për të dhënë një udhëzim shumë të rëndësishëm për të rinjtë dhe për ta lehtësuar zgjedhjen e tyre, do të kem kënaqësinë që në këtë podcast të kem në një bisedë presidentin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, zotin Anastas Angjeli. Zoti Angjeli, faleminderit.
Anastas Angjeli: Përshëndetje.
Aurora Sulçe: Kohë regjistrimesh?
Anastas Angjeli: Sigurisht.
Aurora Sulçe: Ka dilema të forta?
Anastas Angjeli: Kohë rekrutimesh.
Aurora Sulçe: Kohë rekrutimesh. Tregu i punës ka ndryshuar. Inteligjenca artificiale duket sikur po ndryshon mënyrën se si mendojmë, mënyrën se si veprojmë, mënyrën se si zgjedhim; pra, na dikton. Shqipëria ka specifikat e veta si një ekonomi e vogël, por me shumë mundësi gjithashtu. Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, çfarë ofron për të rinjtë, për ta bërë më të lehtë zgjedhjen e tyre?
Anastas Angjeli: Po, siç e thatë dhe siç tashmë po kuptohet nga të gjithë, transformimet e viteve të fundit janë shumë dinamike, për të mos thënë galopante dhe veçanërisht transformimet që burojnë nga zhvillimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Ashtu si në çdo fushë, edhe në drejtim të universiteteve dhe studimeve, kërkimit shkencor, kërkohet që të kalohet nga një model klasik që ka ekzistuar deri pak vitesh më përpara, në një sistem të ri, në një model më energjik, më dinamik, që konsideron pikërisht këto zhvillime dhe të jetë i orientuar drejt kërkesave të reja që ka tregu, në përputhje me këto zhvillime, drejt praktikës më konkrete, për t’u përshtatur, jo vetëm me kërkesat e tregut të brendshëm, por edhe me kërkesat globale për integrimin më të plotë të teknologjisë në të gjitha programet e studimit.
Dhe, natyrisht, këtu duke mos marrë parasysh faktin që duhet vetëm në shkencat teknologjike, por pavarësisht se në çfarë shkence, në shkenca sociale, në shkenca ekonomike, në drejtësi, në shkenca mjekësore, tashmë në rend të ditës është përfshirja në programe e zhvillimeve teknologjike dhe të Inteligjencës Artificiale.
Aurora Sulçe: Profesor, cilat janë kurrikulat që ofron Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në Fakultetin Ekonomik dhe çfarë duhet të ketë parasysh një i ri në momentin që ndërmerr një vendim për të ardhmen?

Anastas Angjeli: Kini parasysh një gjë: Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka hyrë në vitin e 18-të të zhvillimit të veprimtarisë së vet në tregun shqiptar, duke ardhur gjithnjë në rritje, jo nga pikëpamja e numrit të studentëve, që sigurisht është një tregues, por jo qëllim në vetvete, sepse sot Universiteti Mesdhetar numëron rreth 3500 studentë, por nga pikëpamja e standardeve, e cilësisë së programeve dhe, në të njëjtën kohë, e ndryshimit që këto programe në mënyrë dinamike kanë zotëruar.
Do të thoja që Universiteti Mesdhetar, duke pasur rreth 50 programe në tre nivele studimi: në nivelin bachelor, në nivelin master dhe studime doktorale, ofron studime në katër fakultete, të cilët kanë drejtimet e tyre përkatëse.
Ofrojmë studime në Fakultetin e Ekonomisë, me drejtim në Fakultetin e Financës, të Biznesit dhe Ligjit, të Administrimit të Biznesit. Në shkencat juridike dhe humane, kemi Fakultetin për Studime të Integruara në Fakultetin Juridik dhe në shkencat sociale, në shkencat e administratës publike dhe shkencat politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Ne kemi Fakultetin e Informatikës, i cili është pikërisht në përputhje me programet e reja që ne sapo diskutuam, në zhvillimin e teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale. Ne kemi programe të veçanta në bachelor dhe në master për këto çështje.
Kemi edhe Fakultetin e Shkencave Mjekësore, i cili është i drejtuar në tre drejtime kryesore: në studimet për infermierinë e përgjithshme, në studimet për teknikët e laboratorit dhe, në të njëjtën kohë, kemi edhe studime në fizioterapi.
Të gjitha këto studime i kemi edhe në programin master, që pa dyshim janë në po këto drejtime që unë përmenda, por të specifikuara në drejtime më të detajuara, dhe studimet doktorale në shkencat ekonomike dhe në shkencat teknologjike.
Sigurisht që i gjithë ky sistem programesh që Universiteti Mesdhetar ofron për studentët është një mundësi për zgjedhjen më të mirë që ata duhet të bëjnë në studimet e tyre për këtë vit, por edhe për vitet në vazhdim.
Të gjitha këto programe kanë kurrikulat e veta dhe ato janë gjithnjë në rinovim, në përshtatje me zhvillimet e fundit teknologjike. Këto janë të përshtatura me kurrikulat dhe lëndët bazë.
Mund të themi, në kllapa, që kemi pasur një analfabetizëm digjital dhe tani ne kërkojmë që ato t’i fusim në të gjitha programet, të kemi një aftësi shumë të mirë për të drejtuar, për të udhëhequr nëpërmjet aftësimit të së ardhmes, me qëllim që fusha ku Inteligjenca Artificiale duhet të shtrihet, ajo duhet t’i udhëheqë të gjitha këto drejtime.
Natyrisht që ne jemi duke aplikuar formatet ndërdisiplinore që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe krijimin e degëve apo hibrideve: legal tech, drejtësi me Inteligjencë Artificiale, fintech në ekonomi dhe në financë apo Inteligjencë Artificiale digjitale në marketing.
Pra, jemi duke zhvilluar një revolucion të brendshëm në programet tona, me qëllim që t’u shërbejmë sa më mirë aftësimit të studentëve me kushtet e reja që ka krijuar zhvillimi i teknologjisë dhe tregu.
Dhe kemi ndryshuar, në të njëjtën kohë, metodologjinë e mësimdhënies. Ne nuk jemi më skllevër të metodave klasike, peng të një programi të caktuar apo të një libri të caktuar, por, në të njëjtën kohë, ne kemi afruar pranë studentëve laboratorët e inteligjencës artificiale, të teknologjisë, me qëllim që të krijojmë hapësira sa më të mëdha ku studenti të gjejë vetveten me këto zhvillime.
Gjithashtu, një mundësi e re që na krijohet është nëpërmjet partneritetit me industrinë dhe me komunitetin e biznesit. Kjo është shumë e rëndësishme për të transmetuar këto lloj dijesh edhe tek këto biznese, por edhe për të përfituar prej tyre, pasi shtrirja e teknologjisë nuk është vetëm shkolla. Tani ajo ka përqafuar gjithë zhvillimin ekonomik, gjithë zhvillimin e biznesit dhe, për këtë arsye, ne afrojmë edhe programe dhe module afatshkurtra, me qëllim që të përgatiten për të zhvilluar internship-et e nevojshme dhe për të përfituar sa më shumë.
Aurora Sulçe: Profesor, Kryeministri Rama pak më parë ka deklaruar hapjen e katër universiteteve të reja në Shqipëri, përfshirë edhe një ndërkombëtar. Si do ta vlerësonit ju një nismë të tillë?

Anastas Angjeli: Shiko, tregu i arsimit të lartë në Shqipëri është zhvilluar, ka një dinamikë shumë të rëndësishme. Pa dyshim që në këtë treg ka universitete që konkurrojnë, që janë në pararojë. Ka edhe universitete të tjera, të cilat mbase nuk kanë arritur stadin e kërkuar cilësor dhe standardin dhe nivelin, por ajo që është më e rëndësishme, universitetet shqiptare në këto 20 vite që është liberalizuar tregu dëshmojnë se kanë arritur një zhvillim shumë të madh, kanë një infrastrukturë shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha trupa akademike dhe pedagogjike dhe kërkuese shkencore tashmë ka arritur në nivele ndërkombëtare.
Kështu që filozofia, objektivi për ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare është një objektiv shumë i drejtë dhe ne jemi duke punuar për këtë, jo thjesht duke bërë… e kemi kaluar fazën e shkëmbimeve të pedagogëve me universitete të tjera, apo të shkëmbimit të studentëve nëpërmjet programeve Erasmus, apo pjesëmarrjes në projekte.
Sot jemi në një fazë të re, ku nuk kërkohen vetëm këto hapa, të cilat tashmë ne i realizojmë. Ne kemi 100 studentë të huaj nga viti i kaluar dhe presim rreth 220 studentë që të vazhdojnë studimet këtë vit akademik, por tashmë po përshtatim edhe filozofinë e re të produktit që marrim nga kërkimi shkencor, të produktit që marrim sidomos nga projektet, me qëllim që të arrijmë edhe në metoda të reja të financimit të tyre.
Kështu që ideja e Kryeministrit përputhet me zhvillimet që kanë arritur universitetet tona. Shtimi i një universiteti ndërkombëtar tregon që aftësia teknologjike, pedagogjike dhe shkencore e pedagogëve tanë për të përballuar një universitet ndërkombëtar dhe prurjen e studentëve të huaj, sigurisht që është shumë e pranueshme.
Po, sigurisht, nga ana tjetër, ai do të përballet me konkurrencën, për arsye se universitetet shqiptare kanë arritur një nivel shumë të lartë zhvillimi.
Aurora Sulçe: Profesor, ekonomia shqiptare, ashtu si ekonomia globale, po përballet me disa sfida dhe një prej tyre është edhe rritja e çmimeve. Një pjesë e ekspertëve, por edhe një pjesë e partive politike, kërkojnë uljen e taksave dhe kryesisht Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo siç e njohim ndryshe, TVSH-në, si një instrument i cili do të çojë në një ulje të çmimeve fundore për konsumatorët. Si një ish-Ministër i suksesshëm i Financave, por edhe si një nga njohësit më të mirë të financave publike, mendoni se ulja e TVSH-së do të çonte në një ulje të çmimeve dhe a duhen ndërmarrë si masë?
Anastas Angjeli: Jetojmë në një botë që zhvillimet gjeopolitike dhe gjeoekonomike pas krizës së koronavirusit, fillimit të luftës në Ukrainë dhe tashmë të asaj në Lindjen e Mesme, kanë çuar në zhvillime ekonomike globale me ndikime në të gjitha vendet dhe, pa dyshim, pavarësisht nga madhësia dhe përmasat e ekonomisë sonë, ato kanë ndikuar edhe në ekonominë e vendit tonë.
Kemi një krizë që u lidh me ndërprerjen e zinxhirit të furnizimeve. Kemi një krizë energjetike që tashmë, pas Covid-it, vazhdon në mënyrë të pandërprerë të ketë një ndikim shumë të madh në ekonominë e vendeve dhe, pa dyshim, në çmimin e mallrave, në koston e mallrave.
Një krizë e cila, edhe për shkak të këtyre dy luftërave, luftës në Ukrainë, ku, siç dihet, burimet e gazit dhe të naftës nga Rusia kanë pësuar tronditjen e vet dhe një zhvendosje të tregjeve bazë në tregje të reja, apo kriza në Lindjen e Mesme me bllokimin e Kanalit të Korfuzit, u bënë vite që trajektorja e rritjes së çmimeve vazhdon dhe nuk sheh kthim mbrapa.
Kjo ka ndikuar në të gjitha çmimet dhe kemi një periudhë tashmë, mbasi kaluam periudhën e parë të goditjeve nga kriza e luftës në Ukrainë, ku patëm një rritje të inflacionit deri në 6–7% edhe në vendin tonë dhe u rikthyem në targetin që ne kishim, tani kemi përsëri, për shkak edhe të rritjes së çmimit të energjisë, të produkteve të naftës, një kthesë në rritjen e inflacionit.
Tashmë e ka kaluar pak targetin 3% të Bankës së Shqipërisë dhe kjo nuk mund të mos ndikojë në çmimet edhe në vendin tonë.
Kemi ndikimin e brendshëm, për shkak edhe të rritjes së inflacionit, por kemi dhe ndikimin e jashtëm të rritjes së çmimeve, për shkak të marrëdhënieve të tregtisë së brendshme dhe tregtisë së jashtme, eksport-importit, gjë e cila, sipas teorisë dhe parimeve, e bën të vështirë që cikli i rritjes së çmimeve të kthehet në bazën që ishte.
Tani, cila është rruga për uljen e tyre? Propozimi ose reagimi që bëhet shpeshherë për instrumentin e TVSH-së nuk është një zgjidhje magjike që mund t’u afrohet edhe autoriteteve shtetërore, por edhe mendimit ekonomik.
Pa dyshim që lëvizja në TVSH mund të ketë lëvizje minimale, por zgjidhja më e mirë do të ishte që të kishte një, ndoshta një, nëse do të arrihej një situatë e vështirë, ndoshta mund të kishim një diferencim për disa mallra. Ne kemi një diferencim në turizëm.
Aurora Sulçe: Me TVSH-në 6%…
Anastas Angjeli: 6%, po. Këtu mund të vijë koha, por nuk e di, a ka ardhur tamam momenti për produktet bazë ushqimore apo për çështje farmaceutike, të cilat janë nevoja të domosdoshme për popullin, në qoftë se arrihet në një stad të papërballueshëm.
Por unë do të thoja që mirë është që me TVSH-në të mos luhet shumë. Ajo që është bërë, edhe që duhet të bëhet, është dhe besoj që deri diku ka ndikuar pozitivisht, është rritja e pagave dhe e pensioneve.
Aurora Sulçe: Rritja e të ardhurave të disponueshme.
Anastas Angjeli: Rritja e të ardhurave të disponueshme për të korrigjuar deri diku efektin e rritjes së çmimeve.
Aurora Sulçe: I njëjti diskutim, profesor, bëhet edhe për çmimin e naftës. Së fundmi, qeveria ka ndërmarrë dy masa për ta amortizuar deri diku rritjen, e cila vjen edhe nga jashtë, duke qenë se ne jemi vend importues për këtë produkt. Rriaktivizimi i Bordit të Transparencës për të shmangur abuzimet me situatën dhe nga ana tjetër, krijimi i një autoriteti shtetëror për rezervën hidrokarbure. Si do t’i vlerësonit ju këto si nisma?
Anastas Angjeli: Shiko, siç e thashë, çështja e krizës energjetike është një çështje strategjike. Nuk është më një çështje që ulet dhe ngrihet. Kemi të bëjmë me një… energjia sot është element strategjik dhe, duke qenë element strategjik, e parë në kushtet e zhvillimeve gjeopolitike dhe gjeoekonomike, që tashmë kemi dy luftëra të ndezura që janë në zemër të çështjes energjetike dhe të çështjes së hidrokarbureve, atëherë instrumenti i zgjedhur nga qeveria për mbajtjen në gatishmëri, do të thoja në vigjilencë të Bordit të Hidrokarbureve, është një zgjidhje pozitive.
Sigurisht që nuk duhet të na gënjejë mendja që, në qoftë se për tre ditë apo për katër ditë çmimi i barrelit të naftës bie pak, Bordi i Hidrokarbureve duhet të ngrijë dhe pastaj menjëherë kur ai kapërcen, duhet të shkrijë.
Bordi duhet të jetë, s’ka ngriva-shkriva në këtë situatë, se kjo nuk është një situatë që mbaron për 10 ditë. U bënë pesë vjet lufta në Ukrainë dhe po shkon një vit lufta në Lindjen e Mesme.
Aurora Sulçe: Askush s’e kishte menduar, në fakt, që…
Anastas Angjeli: S’e kishte menduar. Atëherë, duke qenë se kjo po zgjat kaq shumë, ky bord duhet të jetë vigjilent, në gatishmëri, që ta ndjekë në mënyrë periodike çështjen e çmimit të karburanteve, me qëllim që të bëjë ndikimin e nevojshëm në tregun shqiptar.
Aurora Sulçe: Profesor, për të mbetur te kriza e çmimeve, kanë reaguar menjëherë bankat qendrore në botë. Në datën 10 shtator ishte Banka Qendrore Europiane, e cila rriti normën bazë të interesit për euron. Pasuan Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të njëjtin veprim pritet ta marrë Banka e Japonisë. A do të shërbejnë këto norma interesi për të amortizuar deri diku rritjen dhe cili pritet të jetë impakti? Por do të pyes edhe për Shqipërinë.
Anastas Angjeli: Sigurisht që kjo periudhë po risjell në rend të ditës çështjen e inflacionit. Siç ju thashë, pas Covid-it dhe luftës në Ukrainë patëm një periudhë, vitin 2025, edhe në Shqipëri, por edhe në vendet e Bashkimit Europian, në Eurozonë, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, patëm një periudhë qetësie.
Nuk mund të them ndonjë periudhë shumë të fortë uljeje të inflacionit, por sidoqoftë, BQE-ja, edhe ne në Shqipëri, arritëm që të kemi një inflacion brenda targetit midis 2-shit dhe 3-shit.
Por inflacioni, me sa duket, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe në vendet e Europës, duke qenë se kriza në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme po vazhdon, është me kahje drejt rritjes.
Kahja drejt rritjes së inflacionit nuk mund të mos sjellë reagimin e bankave qendrore. Siç e përmendët, Rezerva Federale bëri rritjen e normës së interesit pas një viti qetësie. BQE-ja gjithashtu, bëri të njëjtën gjë. Bankat e mëdha të Londrës dhe të Japonisë po përgatiten për këtë situatë.
Inflacioni në rritje kërkon patjetër marrjen e masave nëpërmjet politikës monetare, që është politika e interesave në rastin konkret, dhe kjo nuk mund të përjashtojë edhe Bankën Qendrore të Shqipërisë, sa kohë që muajin e kaluar inflacioni e kaloi targetin tre.
Aurora Sulçe: Ishte 3.2.
Anastas Angjeli: Varet, 3.2. Ne presim sigurisht rezultatet deri në fund të vitit. Në qoftë se tendenca do të vazhdojë që inflacioni të rritet, pa dyshim që edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës dhe ekipi ekzekutiv i Bankës do të reagojnë.
Ne jemi vigjilentë në këtë çështje dhe po e ndjekim me shumë vëmendje, me qëllim që në momentin e caktuar ta diskutojmë këtë, po besoj brenda vitit dhe të mbajmë një qëndrim që, në qoftë se targeti është kaluar, ka kaluar 3.2-shin që ne gjendemi sot, të marrim një masë të caktuar edhe me normën e interesit.
Aurora Sulçe: Një tjetër çështje profesor, që diskutohet në opinionin publik dhe që ka lidhje me Bankën e Shqipërisë dhe me Këshillin Mbikëqyrës, ku ju jeni edhe anëtar, është edhe forcimi i lekut. Bëhet diskutimi për zhvlerësimin e euros, me humbësit dhe përfituesit e aktorëve kryesorë në ekonomi. Si do t’i vlerësonit ju këto luhatje?
Anastas Angjeli: Tani, kini parasysh një gjë që në politikën e kursit të këmbimit ka dy lloj politikash. Ka një politikë të kursit të lirë të këmbimit, ka dhe një politikë të kurseve fikse të këmbimit.
Pra, ka shtete që zbatojnë politikë të kursit të këmbimit fiks. Për shembull, shpeshherë ne na krahasojnë me Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ka politikën e kursit fiks. Një euro barazohet me 60, nuk e di, 62 dinarë.
Kurse Shqipëria, që në fillim, ashtu si shumica e vendeve të botës, edhe në diskutim me institucionet ndërkombëtare, ka ndjekur politikën e kursit të luhatur të këmbimit, që do të thotë nuk e përcakton Banka e Shqipërisë kursin e këmbimit, por e përcakton tregu.
Edhe paraja është mall, si gjithë mallrat e tjerë, shitet dhe blihet në treg, dhe kërkesa dhe oferta e përcakton. Kështu që duhet të hiqet ai fiksim që është krijuar në opinion publik, që ju e keni në dorë, mund ta bëni si doni. Nuk është kështu.
Tani, kalojmë pak te hapi tjetër. Si ndikon ky forcim i lekut? Keni parasysh një gjë që forcimi i lekut në përgjithësi është pozitiv. Pa dyshim, duke mos kaluar çdo kufi, e kupton se mund të kthehet edhe në të kundërt, por përgjithësisht është pozitiv, për arsye se ta filloj nga më e thjeshta, pagat e të gjithë punonjësve, si në administratën publike, ashtu edhe në sektorin privat, janë në lek. Dhe ata do të konsumojnë përsëri në lek.
Sektorët ekonomikë, pa dyshim që në shumicën e sektorëve, mund të themi që ndikimi është pozitiv.
A kush humbet? Flitet shumë që humbasin fasonët, eksportuesit. Kini parasysh tani, në të njëjtën kohë, sa përqind zënë ata në totalin e ekonomisë, fasonët dhe eksportuesit, në raport me importuesit dhe prodhimin e brendshëm? Është një shumë shumë e vogël.
Unë e kuptoj, i kuptoj edhe shqetësimin e tyre, dhe mbase ka ardhur koha që edhe fasonët, pak nga pak, e konsumuan veten si…
Aurora Sulçe: Të kalojnë në ciklin e mbyllur në “Made in Albania”, që është sfida kryesore.
Anastas Angjeli: E kaluan ciklin e parë ata, që çdo gjë marrin, qepin edhe shesin.
Aurora Sulçe: Kjo pastaj shihet pak edhe në kuadrin e politikës së qeverisë për rritjen e të ardhurave të disponueshme të qytetarëve, se s’mund të jetë avantazh krah lirë punës.
Anastas Angjeli: Kështu që duhet parë që kanë kaluar 30 vite. Kështu që, nga kjo pikëpamja, goditja që ata marrin, sigurisht që nuk është e pëlqyeshme për ta, por në raport me të gjithën duhet konsideruar.
Nga ana tjetër, kemi edhe një problem tjetër që ka të bëjë me depozitat në euro, se edhe ato marrin një goditje. Mirëpo, po të shikosh dinamikën e zhvillimit të depozitave, ajo ka ndryshuar tani, vazhdon të ndryshojë. Domethënë, raporti midis depozitave në euro me depozitat në lek ka kaluar në favor të depozitave në lek.
Aurora Sulçe: Duket sikur po edukohen edhe shqiptarët që të përdorin monedhën kombëtare më shumë, duke qenë se i kanë të ardhurat këtu.
Anastas Angjeli: Natyrisht, po ta shikosh pastaj në perspektivë, le të mendojmë që një ditë Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian shumë shpejt dhe një ditë tjetër edhe të jetë vend anëtar i Eurozonës, gjë që do të kërkojë një reformë të tërë monetare në sistemin bankar shqiptar.
Aurora Sulçe: Dhe një pyetje të fundit, profesor, lidhur me një zhvillim ndërkombëtar të cilin ju e keni ndjekur dhe kishit bërë edhe një analizë të detajuar, që ka të bëjë me Samitin e 18-të në Neë Delhi. Çfarë përfaqëson ky Samit dhe ku po shkojnë vendet e BRICS?
Anastas Angjeli: Shiko, BRICS është një organizatë që është krijuar 20 vjet më parë dhe këtë radhë shënoi samitin e 18-të, që u bë në Neë Delhi.
Sigurisht që është një bashkim, një organizatë që tashmë nuk mund të mos konsiderohet më. Pse? Filloi me gjashtë anëtarë, u bë 11 anëtarë dhe ka edhe 10 anëtarë të tjerë të asociuar.
Mirëpo, nuk është thjesht numri i anëtarëve, është numri i treguesve. Vendet e BRICS përfaqësojnë 48.5% të popullsisë së botës. Domethënë, gjysmën e popullsisë së botës e përfaqëson BRICS.
Përfaqësojnë gati 48% të GDP-së, por, pavarësisht se në vlerë absolute, po ta krahasosh me G7-ën, ato janë sa gjysma e prodhimit të G7-ës.
Kuptohet që përfaqësojnë, në të njëjtën kohë, vende të prodhimit të hidrokarbureve, të energjisë, përfaqësojnë gjithashtu një pjesë të mirë të tregtisë ndërkombëtare.
Aurora Sulçe: Ju e kishit quajtur në shkrimin tuaj “fuqitë e reja ekonomike”.
Anastas Angjeli: Po, fuqitë e reja ekonomike: Kina, Rusia, India, Brazili, Meksika, Arabia Saudite, Irani, Turqia kanë një potencial që këto 30 vitet e fundit është zhvilluar shumë dhe ajo që kërkojnë në thelb, në fillim dhe vazhdojnë ta kërkojnë, është një përfaqësim më i mirë i këtyre vendeve, vendeve të Afrikës në të njëjtën kohë, në institucione ndërkombëtare, në Fondin Monetar dhe në Bankën Botërore.
Kërkojnë një reformim të OKB-së, kërkojnë një reformim të Fondit Monetar, kërkojnë një reformim të Bankës Botërore.
Natyrisht, për të përballuar goditjet nga dollari amerikan, kanë tentuar të krijojnë një monedhë të tyre, por që edhe në Neë Delhi nuk u diskutua kjo çështje, sidomos prej qëndrimit të Indisë. Por ajo që po arrihet mes tyre është që në tregtinë ndërkombëtare ata të përdorin monedhën e tyre në këmbim.
Pra, deri tani, zhvillimi i mëtejshëm që ato kanë arritur është krijimi i një banke të BRICS-it, e cila po tenton të bëjë financime te vendet anëtare të tyre, edhe pse nuk ka arritur shuma të mëdha, por pak vite ka që është krijuar.
Të gjitha këto tregojnë një përpjekje të këtyre vendeve për t’u përfaqësuar më mirë dhe deri tani nuk kanë shprehur dhe nuk munden të kenë një tendencë për t’iu kundërvënë Fondit Monetar, Bankës Botërore, por kërkojnë që të reformohen. Mbase ato janë organizma që janë krijuar që pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë pikëpamje, nuk mund të mos konsiderohen.
Aurora Sulçe: Profesor, ju falënderoj për këtë intervistë.
Anastas Angjeli: Faleminderit edhe juve.
Aurora Sulçe: Faleminderit që na ndoqët në këtë podcast të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë. Unë ju ftoj që të qëndroni me podcastin e UMSH-së për tema shumë interesante, që do të kemi në edicionet e radhës. Mirupafshim.
Anastas Angjeli: Faleminderit.


