Albin Kurti publikon videon zyrtare nga SHBA: Takime me liderë të lartë gjatë Asamblesë së 81-të
Beqir SINA – New York

Kurti në New York, kërkoi bazë të përhershme amerikane në Bondsteel dhe hapjen e arkivave nga Serbia
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara, ka publikuar sot një video zyrtare që përmbledh aktivitetet e tij gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Në video, Kurti dokumenton takimet intensive me liderë botërorë, kongresistë amerikanë dhe përfaqësues të diasporës shqiptaro-amerikane.
Ai thekson se qëllimi kryesor ishte promovimi i interesave shtetërore të Kosovës, forcimi i partneritetit me aleatët strategjikë dhe ngritja e çështjeve kyçe për paqen e drejtësinë në rajon.
Ndër takimet e rëndësishme figurojnë ato me kongresistët amerikanë George Latimer dhe Mike Lawler.
Me dy ligjëbërsit amerikan të Nju Jorkut, Kurti diskutoi anëtarësimin e Kosovës në NATO, transformimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane, si dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Ai ngriti gjithashtu çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, nevojën për hapjen e arkivave serbe dhe drejtësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Kurti u takua edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në këtë takim u diskutuan mbështetja e vazhdueshme turke për Kosovën, bashkëpunimi ushtarak dhe ekonomik, si dhe vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryeministri e cilësoi atë vendim si të padrejtë juridikisht dhe historikisht, duke kërkuar korrigjimin e tij në apel.
Pjesë e agjendës së Kurtit në New York ishin edhe takimet me investitorë amerikanë e shqiptarë, si dhe me aktivistë të diasporës, ku u theksua heqja e tarifave doganore për mallrat amerikane dhe potenciali për investime në energji, teknologji e prodhim.
Veçanërisht të rëndësishme ishin takimet me komunitetin shqiptar në Amerikë.
Në Staten Island, Kurti mori pjesë në festivalin e parë shqiptar, të organizuar nga Naser Nika, ku u prit me entuziazëm të madh nga rreth 1 000 pjesëmarrës.
Ai mbajti fjalim në sheshin “Ismail Qemali Way”, ndërsa kongresistë, asambleistë e këshilltarë të New Yorkut e uruan mirëseardhjen.
Kurti theksoi në Staten Island se integrimi nuk e zbeh identitetin, por e pasuron Amerikën, dhe se ruajtja e gjuhës shqipe është detyrë ndaj brezave të ardhshëm.
Në Bronx, ai vizitoi shkollën publike P.S. 108 Philip J. Abinanti, ku zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip. Atje ai shpërndau abetare e libra dhe e vlerësoi këtë nismë si model për ruajtjen e gjuhës amtare.
Në Manhattan, mori pjesë në darkën e punës të organizuar nga veprimtari Bruno Selimaj, me personalitete të komunitetit dhe rrjetin e sipërmarrësve shqiptaro-amerikanë.
Po ashtu, Kurti zhvilloi dialog me studentët e rinj të diasporës dhe shoqatat studentore shqiptare në universitete amerikane, përfshirë Columbia University, duke i inkurajuar për kontribut në zhvillimin e Kosovës.
Në mesazhin e videos, kryeministri nënvizon se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm i Kosovës dhe se partneriteti duhet thelluar më tej.
Videoja e tij shërben si dëshmi e angazhimit diplomatik të Qeverisë për të forcuar pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe konfirmon se vizita në New York, shënoi një hap të rëndësishëm në diplomacinë kosovare.


