Hapet ‘loja’ e pagave/ Garda e Republikës kërkon rritje: Jemi 24/7 në misione me rëndësi të veçantë…
Efektivët e Gardës së Republikës kërkojnë përmirësimin e pagave dhe të trajtimit financiar, duke argumentuar se natyra e detyrës dhe përgjegjësitë që mbajnë kërkojnë një vlerësim më të madh nga institucionet.
Përmes sindikatës së tyre, punonjësit e Gardës i kanë drejtuar një kërkesë qeverisë që çështja e pagave të merret në konsideratë gjatë hartimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2027.
Sipas sindikatës, aktualisht ekzistojnë diferenca në pagën bazë mes punonjësve të Gardës dhe strukturave të tjera të sigurisë me nivele të ngjashme përgjegjësie. Si shembull përmendet paga bazë prej 73,500 lekësh për gradën fillestare të inspektorit në Gardën e Republikës.
Në kërkesën e tyre, efektivët theksojnë se puna e Gardës zhvillohet në shërbim të vazhdueshëm, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. Detyrat e tyre përfshijnë garantimin e sigurisë së institucioneve qendrore, si dhe mbrojtjen e personaliteteve të larta shqiptare dhe të delegacioneve të huaja.
KËRKESA
Sindikata e Gardës së Republikës përshëndet vëmendjen e vazhdueshme të Qeverisë Shqiptare dhe politikat e ndërmarra për përmirësimin e trajtimit financiar të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes, si Forcat e Armatosura dhe Policia e Burgjeve. Çdo investim te uniformat që i shërbejnë shtetit është një vendim plotësisht i drejtë.
Megjithatë, siç pasqyrohet në tabelat zyrtare të bashkëlidhura, vërehet një disbalancë e ndjeshme në Pagën Bazë për gradë të efektivëve të Gardës së Republikës, në raport me strukturat homologe:
* Paga bazë e nivelit fillestar në Gardë (Inspektor) mbetet në kuotën 73,500 lekë.
* Ndërkohë, nivelet bazë me përvojë në FA arrijnë mbi 82,000 lekë, ndërsa në Policinë e Burgjeve paga bazë për gradat paralele të nivelit zbatues dhe drejtues paraqitet dukshëm më e lartë.



Punonjësit e Gardës së Republikës përmbushin çdo ditë një mision me rëndësi të veçantë shtetërore, duke garantuar (24/7) sigurinë e institucioneve qendrore dhe personaliteteve më të larta vendase e të huaja.
Pikërisht në funksion të këtij misioni, i drejtohemi me besim institucioneve vendimmarrëse që:
Në hartimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2027, të planifikohet rishikimi dhe rritja e Pagës Bazë për gradë për punonjësit e Gardës së Republikës duke ruajtur ekuilibrin dhe dinjitetin e merituar brenda sistemit të sigurisë kombëtare.
Ftojmë publikun të njihet me të dhënat zyrtare në tabelat bashkëngjitur:
A mendoni se në Buxhetin 2027 duhet të harmonizohet madje të tejkaloj paga bazë e punonjësit të Gardës së Republikës me pjesën tjetër të strukturave të sigurisë? Presim me respekt mendimin tuaj.
Kërkesa e punonjësve të Gardës vjen në një moment kur në vend ka pasur një debat mjaft të fortë, në lidhje me pagat e magjistratëve, të cilët e kanë dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.


