SPAK i sekuestron telefonat Ard Veliut, Arjeta Pucës dhe Kasnecit, pritet marrja në pyetje
Aparate telefonike, laptop dhe disa dokumente, mësohet t’i jenë sekuestruar Ardi Veliut, drejtorit të ndërmarrjes ‘KAYO’, Arjeta Pucës, administratores së shoqërisë aksionere ‘TIMAK Defence’, dhe aksioneres së kësaj kompanie, shtetases Manjola Kasneci.
Hetimi, që nisi kryesisht pas denoncimit më 7 shtator 2026, tashmë ka në qendër të këtij skandali edhe izraelitin Ron Yeffet.
Rasti po ndiqet nga një prokuror i SPAK dhe nga dy oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët, në mëngjesin e sotëm, kanë kryer kontrolle në banesa dhe kanë sekuestruar pajisjet elektronike.
‘…Hetimi është në hapat fillestarë dhe nuk mund të themi që kemi zbuluar diçka domethënëse që tani. Të presim ekspertimin e pajisjeve elektronike dhe pyetjen e personave, për të mësuar më tepër rreth kësaj situate…’, tha një burim pranë SPAK.
Pritet që për këtë çështje të merren në pyetje disa persona, përfshirë edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, në denoncimin e tij, foli për atë që e cilësoi si ‘konceptin KAYO’, kompani kriminale, duke pretenduar se ai shtrihet në disa fusha që, sipas tij, lidhen me veprimtari kriminale.
Ahmetaj paralajmëroi se materialet do të shoqërohen edhe me dokumente dhe të dhëna të tjera, duke përmendur udhëtime me charter, qëndrime në hotele në Itali dhe persona të tjerë të lidhur, sipas tij, me këto zhvillime.
‘Bëhet fjalë për audiopërgjimin, se s’dua t’i mbaj në suspensë askënd, se nuk është ky qëllimi. Bëhet fjalë për personazhin shumë të njohur në Shqipëri tashmë, amerikano-izraelito-shqiptarin Ron Yeffet. Çfarë është Ron Yeffet? Ron Yeffet është parë në Shqipëri në vitin 2008 dhe ka një marrëdhënie të hershme me kreun e organizatës.
Është amerikano-izraelit edhe shqiptar. Pra, i ka të treja pasaportat, mos gabohem, pastaj se s’kanë ndonjë vlerë. Është personi që unë kam denoncuar, që ka kërkuar kreu i organizatës t’i mbyllë borxhin e Shqipërisë. Ky është pikërisht personi që Ditmir Bushatit i është kërkuar t’i dorëzohet ambasada e Nju Jork-ut tonë, për ndërtim, për Ron Yeffetin. Dhe sot ka shumë elementë.’/Elton Qyno


