Pas Rony Yeffet-it, SPAK ‘i troket’ në derë ‘Ermal Rraketës’
Hetimi i SPAK për aferën KAYO ka hyrë në një fazë të re, teksa me autorizim të gjykatës janë zhvilluar kontrolle në disa ambiente dhe institucione, në kuadër të procedimit penal nr. 62/2026.
Një prej kontrolleve është kryer te biznesmeni shqiptaro-amerikan-izraelit Rony Yeffet, ku operacioni i kërkimit ka përfunduar pak më parë.
Lëvizja e SPAK vjen në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen KAYO, e cila është vënë nën lupën e prokurorëve pas denoncimit të Ahmetajt, si dhe pas publikimit të disa audiopërgjimeve që kanë ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet dhe komunikimet e personave të përfshirë në këtë çështje.
Kontrolle janë zhvilluar gjithashtu në Ministrinë e Mbrojtjes, institucion që drejtohet nga Ermal Nufi. Sipas burimeve, gjatë verifikimeve në ministri janë sekuestruar një sërë dokumentesh, të cilat pritet të shërbejnë për hetimin e mëtejshëm të rrethanave të çështjes.
Në fokusin e hetuesve nuk janë vetëm dokumentet e administruara gjatë kontrolleve. Pjesë e verifikimeve pritet të jenë edhe komunikimet dhe të dhënat që lidhen me personat e përmendur në audiopërgjime.
Burimet bëjnë me dije se nga hetimi nuk përjashtohet mundësia që në procesin e verifikimit të përfshihen edhe zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët rezultojnë të përmendur në përgjime ose mund të kenë dijeni mbi rrethanat që po hetohen.
Megjithatë, përfshirja e një personi në verifikimet e një hetimi apo përmendja e tij në materiale të administruara nga organet ligjzbatuese nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale.
Procedimi penal 62/2026 vijon, ndërsa materialet e sekuestruara gjatë kontrolleve pritet të analizohen nga hetuesit për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë të tjerë që mund të çojnë në zgjerimin e hetimit.
Në këtë fazë, SPAK nuk ka bërë publike të gjitha detajet mbi objektin e kontrolleve dhe materialet e sekuestruara, ndërsa hetimet për aferën KAYO vijojnë.


