Protesta e 125-të/ Aktivistja Vatnikaj: Kjo betejë nuk është vetëm kundër klasës së korruptuar politike, por edhe për të rimarrë dinjitetin
Në ditën e 125-të të protestës, aktivistja Sidorela Vatnikaj u shpreh se qëndresa e protestuesve ka vijuar, pavarësisht kohëzgjatjes dhe vështirësive të përballuara.
“Në ditën e parë të kësaj proteste askush nga ne nuk e dinte sa do të zgjaste, çfarë pune do të kërkohej dhe sa këmbëngulje për ta çuar përpara këtë betejë”, deklaroi Vatnikaj.
Ajo theksoi se protesta, sipas saj, nuk lidhet vetëm me kundërshtimin ndaj klasës politike, por edhe me kërkesën për dinjitet dhe për një shtet në shërbim të qytetarëve.
Vatnikaj shtoi se protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë.
“Kjo betejë nuk është betejë vetëm kundër klasës së korruptuar politike 36-vjeçare, por është për të marrë dinjitetin që na kanë shkelur gjithë këto vite dhe për të rimarrë shtetin në shërbim të qytetarëve. Prandaj edhe sot jemi bërë këtu për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë”, tha Vatnikaj.
Vatnikaj akuzoi qeverinë për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike, duke thënë se skandalet dhe zhvillimet mediatike nuk duhet të largojnë vëmendjen nga, sipas saj, aferat korruptive të qeverisë.
Ajo iu referua gjithashtu ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe ish- zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke i përmendur në kuadër të kritikave të saj ndaj qeverisë Rama.
“Drejtoresha e SHISH jo vetëm që dërgonte informacion grupeve kriminale por edhe mbronte dhe bashkëpunonte me to, por donte të fshihej nga interesi audiencës duke përdorur një histori rozë. Ne jemi këtu për të thënë se ka vetëm një histori të këtyre pushtetarëve dhe kësaj klase të korruptuar politike që e kanë varfëruar shtetin. E kanë vjedhur buxhetin e shtetit dhe ia kanë dërguar atë njerëzve të tyre, dhe për ti mbuluar kanë përdorur skandale e spektakle mediatike. Por ato nuk na bëjnë të heqim vëmendjen sepse aferat korruptive të Edi Ramës janë më të rënda në historinë e shtetit shqiptar. Mjafton të shohësh nëse ka më shumë ministra në detyrë apo të akuzuar për korrupsion. Dhe mjafton të shohësh se si dy zëdhënësit e tij Ahmetaj në arrati dhe Balluku për të cilën kërkohet hetimi dhe burgosja janë të dy zv.kryeministra të një kryeministrit të Edi Ramës që është përgjegjës për korrupsionin dhe krimin në qeveri”, tha ajo.


