Opinion

Av. Fation Vila: “Vazhdoni me plumba gome dhe me gaz. Mos i kurseni!”

Ndëshkimi kolektiv për veprimet individuale në praktikën e GJEDNJ-së

Gjithashtu, GJEDNJ-ja konstatoi shkelje të Nenit 10 “Liria e shprehjes” të KEDNJ-së, pasi forca dhe plumbat e gomës të përdorur ndaj gazetarëve që mbanin shenja të qarta identifikuese ishin një ndërhyrje e pajustifikuar që pengoi lirinë e medias.

“Vazhdoni me plumba gome dhe me gaz. Mos i kurseni!” . Kjo ishte një nga thirrjet e shumta që, sipas raportimeve të gazetarëve, dëgjohej vazhdimisht të përcillej përmes megafonit, drejtuar oficerëve të policisë. Pavarësisht shqetësimit që mund të shkaktojnë pamje të caktuara të protestës, përgjegjësia penale është individuale dhe thelbi i ndërhyrjes shtetërore nuk qëndron te shpërndarja e protestës, por te individualizimi i akteve të dhunës dhe izolimi i tyre. Një protestë mund të jetë paqësore edhe kur brenda saj ndodhin akte të izoluara dhune. Nga ana tjetër, masat parandaluese dhe/ose ndëshkuese të autoriteteve duhet të vlerësohen jo vetëm në funksion të qëllimit që synojnë të përmbushin, por edhe në raport me ashpërsinë dhe pasojat që sjellin për ushtrimin e lirive themelore nga protestuesit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka shqyrtuar shpesh çështje që lidhen me zhvillimin e tubimeve, përdorimin e dhunës dhe reagimin e autoriteteve ndaj akteve të dhunshme, duke përfshirë përdorimin e ujëhedhësve, gazit lotsjellës dhe armëve me predha gome. Gjithashtu, ajo ka analizuar gjerësisht dhe në detaje proporcionalitetin e masave të marra nga autoritetet. Kështu, në çështjen “Molina Marín e të tjerë kundër Spanjës” (vendim i shtatorit të vitit 2026), Gjykata (GJEDNJ) ka theksuar se përgjegjësia e protestuesve duhet të mbështetet në sjelljen e tyre individuale dhe se aktet e dhunës të kryera nga persona të tjerë nuk justifikojnë automatikisht kufizimin e të drejtës së të tjerëve për tubim paqësor (§ 42). Për më tepër, dënimet penale, veçanërisht kur janë të rënda dhe pasojnë procedime të zgjatura, mund të krijojnë një efekt frenues mbi pjesëmarrjen në protesta dhe debatin politik, duke prekur jo vetëm personat e dënuar, por edhe publikun në përgjithësi (§ 48). Për rrjedhojë, kur një ndërhyrje e tillë nuk justifikohet si e nevojshme në një shoqëri demokratike, ajo përbën shkelje të nenit 11 “Liria e tubimit dhe organizimit” të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), të interpretuar në raport me nenin 10 “Liria e shprehjes” (§ 49).

GJEDNJ-ja i klasifikoi armët me predha gome si armë me rrezikshmëri të lartë (që mund të shkaktojnë vdekje ose verbim) dhe specifikoi se ato mund të përdoren vetëm si mjet i fundit, me shënjestrim të saktë dhe pas paralajmërimeve të qarta.

Parimi i Proporcionalitetit:

Sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së (Frumkin kundër Rusisë dhe Tsaava e të tjerë kundër Gjeorgjisë), proporcionaliteti i ndërhyrjes policore duhet të vlerësohet në dy këndvështrime: së pari, nëse ekziston një bazë konkrete për shpërndarjen e tubimit dhe, së dyti, nëse mënyra e zbatimit të këtij vendimi, përfshirë forcën e përdorur, është e nevojshme dhe proporcionale.

Nga ana tjetër, theksohet vazhdimisht nga GJEDNJ, se edhe në prani të episodeve të dhunës, autoritetet duhet të marrin parasysh sjelljen individuale të pjesëmarrësve dhe mundësinë e masave më pak kufizuese, pa i trajtuar të gjithë protestuesit si një grup homogjen. Pra, ligjshmëria e ndërhyrjes nuk përcaktohet vetëm nga ekzistenca e një shkaku për të vepruar, por edhe nga domosdoshmëria dhe proporcionaliteti i masave të marra. Një nga gjykimet e GJEDNJ të fundvitit 2025, që merret si reference në shqyrtimin e proporcionalitetit të masave shpërndarëse të një tubimi, përfshirë edhe përdorimin e plumbave të gomës, është “Tsava e të tjerë kundër Gjeorgjisë”, rast që kishte të bënte me një protestë masive përpara ndërtesës së Parlamentit. Situata u tensionua kur një grup protestuesish tentoi të çante kordonin policor për të hyrë në oborrin e Parlamentit.

GJEDNJ-ja ritheksoi se kur një qytetar dëmtohet rëndë gjatë një operacioni policor, është Shteti ai që ka barrën e provës për të justifikuar se forca e përdorur ndaj atij individi specifik ishte absolutisht e nevojshme.

Nga ana tjetër, Policia shpërndau turmën duke përdorur ujëhedhës, gaz lotsjellës dhe plumba (predha) gome. Përdorimi i predhave të gomës u bë shpesh pa paralajmërim dhe pa dallim, duke plagosur mbi 200 persona, përfshirë dhjetëra gazetarë. GJEDNJ-ja i klasifikoi armët me predha gome si armë me rrezikshmëri të lartë (që mund të shkaktojnë vdekje ose verbim) dhe specifikoi se ato mund të përdoren vetëm si mjet i fundit, me shënjestrim të saktë dhe pas paralajmërimeve të qarta. GJEDNJ-ja ritheksoi se kur një qytetar dëmtohet rëndë gjatë një operacioni policor, është Shteti ai që ka barrën e provës për të justifikuar se forca e përdorur ndaj atij individi specifik ishte absolutisht e nevojshme. GJEDNJ-Ja konstatoi shkelje të Nenit 3 “Ndalimi i torturës” të Konventës (KEDNJ), duke u shprehur se Policia përdori forcë jo proporcionale dhe të panevojshme, ndërsa predhat e gomës u qëlluan nga distancë e afërt ndaj personave që nuk përbënin rrezik. Në aspektin procedural, GJEDNJ-ja konstatoi se autoritetet gjeorgjiane dështuan të kryenin një hetim efektiv dhe të pavarur për më shumë se 5 vite, për të identifikuar dhe ndëshkuar policët apo zyrtarët që urdhëruan dhunën. Gjithashtu, GJEDNJ-ja konstatoi shkelje të Nenit 10 “Liria e shprehjes” të KEDNJ-së, pasi forca dhe plumbat e gomës të përdorur ndaj gazetarëve që mbanin shenja të qarta identifikuese ishin një ndërhyrje e pajustifikuar që pengoi lirinë e medias. GJEDNJ-ja konstatoi edhe shkelje të nenit 11 të Konventës “Liria e tubimit dhe organizimit”, duke u shprehur se, ndonëse shteti kishte të drejtë të ndalonte dhunën e disave, shpërndarja masive e të gjithë protestës shkeli të drejtën e tubimit të pjesëmarrësve paqësorë.

Së fundmi, GJEDNJ-ja evidentoi nevojën që autoritetet gjeorgjiane të merrnin masa për të rregulluar përdorimin e plumbave prej gome, duke përcaktuar rregulla të qarta dhe garanci të përshtatshme për përdorimin e tyre. Në konkluzion të sa më sipër, konstatohet domosdoshmëria që autoritetet shqipëtare të marrin masa urgjente për të rregulluar përdorimin e ujëhedhësve, gazit lotsjellës dhe armëve me predha gome, duke përcaktuar rregulla të qarta dhe garanci të përshtatshme për përdorimin e tyre në përputhje me Praktikën e GJEDNJ-së.