Audiopërgjimi/ Agjentja e MCA: 12 milion lekë tani, ose prona do të mbetet e bllokuar
Emisioni FactCheck në MCN TV ka siguruar ekskluzivisht një audiopërgjim ku agjentët e MicroCredit Albania shantazhojnë qytetarët të paguajnë 12 milionë lekë brenda javës.
Kur qytetari kërkon një dokument përgjigja që merr nga agjentja e identifikuar si Valmira, i thuhet se gjithçka është vendosur me gojë.
E teksa prej vitesh kjo skemë ishte kallëzuar penalisht dhe hetohej nga Prokuroria, rezulton se audiopërgjimi është bërë më 18.03.2024 pra pak muaj para se skandali të merrte përmasa të mëdha deri në sekuestrimin e Final dhe MicroCreditAlbania.
Valmira MCA– Ju telefonojmë nga MicroCredit Albania, më njoftuan për një kërkesë që na keni dërguar sa i takon detyrimit tuaj. Përgjigja që na është dhënë është që të paguash brenda javës 12 milionë lekë të vjetra dhe kundrejt kësaj pagese detyrimi do konsiderohet i mbyllur dhe do hiqen dhe sekuestrot ndaj apartamentit. Përgjigja na është dhënë me gojë.
Si do i paguaj, çfarë do bëj?
Valmira MCA– Ne si institucion kemi numrat e llogarive duke qenë se është pagesë e lartë, ti je në Durrës?
Unë jam në Durrës.
Valmira MCA– Në rregull, në momentin që do sigurosh lekët, gjatë javës do më kontaktosh në këtë numër. Ky është numri zyrtar i institucionit. Nëse do paraqitu në Tiranë te zyrat e Microcredit, dhe pagesën do e bëjmë në formë marrëveshje ku vendoset një klauzolë. Nëse paguhet data 18, për shembull, nëse paguhet brenda datës 18.03 2024, 1.2 milion lekë, detyrimi konsiderohet i mbyllur, hiqet sekuestro etj. Nëse nuk bëhet kjo pagesë sipas afatit të vendosur, nuk stopohet pjesa e procedurës përmbarimore dhe i rikthehemi vlerës fillestare.
E kuptova, atëherë i bie që të kaloj tek ju, tek dega juaj dhe të bëj një marrëveshje, apo jo? Se unë pa marrëveshje nuk bëj gjë.
Valmira MCA– Është në klauzolë, në momentin që do firmoset si nga ana juaj dhe nga ana jonë, do të japim numrat e llogarive të një nga bankave ku ti ke akses, të paguash 1.2 milion lekë të reja në llogaritë e MCA, pas dy ditësh pikë së pari lëshohet vërtetimi, ndërsa pjesa e sekuestros do diku tek tre ditë deri sa të firmoset nga përmbaruesi. Apo t’i dërgohen ASHK, etj. Ka një vonesë diku te një javë ka një procedurë.
Kjo gjë është e sigurt?
Valmira MCA– Po, normalisht që po. Kjo gjë u vendos pasi gjatë procesit gjyqësor ka pasur shpenzime, jo avokat, procesi i vlerësimit etj., etj. Janë një sërë kostosh që janë bërë dhe nga ana e institucionit gjatë kohës që është trajtuar kjo kredi, që nga 2015, janë pak a shumë 8-9 vite.
Ky detyrim mbyllet totalisht, nuk kam më punë që të ngatërrohemi, bëhemi?
Valmira MCA– Po, po.
E kuptoj! Mirë atëherë, ju quheshit?
Valmira MCA– Valmira, përfaqësuese e Microcredit. Regjistroje numrin dhe më kontakto. E premtja është pushim, mundohu deri ditën e enjte.
Çne këto afate, bam bam?
Valmira MCA– Zakonisht i vendosim sot për sot, sot për nesër. Afati maksimal që vendoset është brenda javës.
E marrë vesh.
Valmira MCA– Për çdo gjë më kontakto.
Besoj se nesër do kaloj vetë fizikisht që të flasim.
Valmira MCA– Mirë më telefono para se të vish, më shkruaj në whatsapp se e kam më kollaj, se këtu më humbasin edhe thirrjet për shkak të fluksit.
Nuk ka problem, do vij aty dhe flasim.


