Pa marrëveshje për “tortën”, Bastet e Call Center-at në kaos: Secili për vete, bilardot vendosin tabela për të shmangur goditjet e papritura të policisë
Mungesa e një marrëveshjeje për ndarjen e “tortës” së ilegalitetit si Call Centerat, Bastet apo aktivitete të ngjashme ka shkaktuar kaos në një terren, i cili deri më tani funksiononte si “orë zvicerjane” për shkak të koordinimit perfekt mes organeve ligjzbatuese dhe grupeve që kanë kontrollin.
Burime të Skyweb.al bëjnë me dije se një pjesë e organizatorëve të basteve të paligjshme dhe call center-ave mashtrues po vijojnë aktivitetin duke marrë vetë përsipër rrezikun e goditjes nga policia.
Sipas këtyre burimeve, situata mbetet e pasqaruar pas ndërhyrjes së një personazhi të fuqizuar së fundmi politikisht, i cili ka kërkuar “copën” e tij në një treg që, gjeneron miliona euro në ditë.
Kjo ndërhyrje ka tronditur “status quo-në” ekzistuese dhe marrëdhëniet mes aktorëve që kontrollojnë këto veprimtari.
Ndërkohë, burimet shpjegojnë se personazhi që deri tani ka luajtur rolin e “koordinatorit” të ilegalitetit u ka përcjellë organizatorëve mesazhin se për momentin “nuk ka mbrojtje” dhe se aktiviteti duhej ndalur deri në sqarimin e disa rrethanave.
Sipas të njëjtave burime, ky personazh shërben si hallkë lidhëse me struktura që ligji i ngarkon të luftojnë këto veprimtari, por që thuhet se “mbyllin sytë” përballë tyre.
Zgjatja e kësaj situate ka sjellë pakënaqësi.
Një pjesë e aktorëve kanë vendosur të vijojnë punën, secili për “kokën” e tij, duke marrë përsipër edhe rrezikun e ndonjë operacioni policor.
Në terren, kjo po shoqërohet edhe me një ndryshim të dukshëm.
Lokale bastesh të kamufluara si kafene apo bilardo, të cilat më parë funksiononin pa shenja identifikuese, tashmë kanë vendosur tabela.
“Kjo shërben për të dhënë mesazhin se territori i kujt është, që të mos i godasë policia papritur, por edhe për t’u treguar aktorëve të tjerë se nuk mund të futen në atë territor”, shpjegoi një burim për Skyweb.al.
Tabelat po përdoren si shenja identifikimi të kontrollit mbi lokalet dhe zonat ku ato operojnë, në kushtet kur mungon një marrëveshje e përgjithshme mes grupeve nën koordinimin e një personazhi të fuqishëm që ka mbyllur edhe sikletet me SPAK.
Më herët, Skyweb.al ka raportuar gjerësisht për këtë treg të ilegalitetit dhe lëvizjet për kontrollin e tij.
Fillimisht, bastet e paligjshme dhe call center-at mashtrues “ngrinë”, pasi organizatorëve iu përcoll mesazhi se nuk kishin më “mbrojtje” dhe duhej të prisnin deri në sqarimin e situatës.
Por bllokimi nuk zgjati për të gjithë, pasi një pjesë nisën të rihapen, megjithëse marrëveshja për ndarjen e “tortës” ende mungonte.
Tashmë, sipas burimeve, secili po vepron “me kokën e tij”, duke kërkuar dhe siguruar “mbrojtje” për aktivitetin në zonën ku operon, pa një koordinim të përgjithshëm.
Nga një treg ku mesazhet përcilleshin “nga lart” dhe zbatoheshin në terren, situata ka kaluar te zgjidhjet individuale, ku secili përpiqet të mbajë hapur aktivitetin dhe të ruajë territorin e vet. /skyweb.al


