Transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve: Urdhri është sekret shtetëror! Janë zbatuar të gjitha procedurat
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha sot se transferimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Verliaj në burgun e Fierit, është bërë në përputhje me ligjin. Në një deklaratë për shtyp, institucioni sqaron se urdhri i transferimit është firmosur sipas procedurave, por dokumenti është klasifikuar “sekret shtetëror”, ndaj nuk mund të bëhet publik jashtë kushteve të parashikuara në ligj. Drejtoria sqaron se vendimi për transferimin është kompetencë e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe se për këtë rast është njoftuar edhe Prokuroria.
Sa i përket trajtimit të Veliajt në burgun e Fierit, Drejtoria e Burgjeve thotë se ai është vendosur fillimisht në sektorin e observimit më 28 tetor, ndërsa më 29 tetor është takuar me drejtuesit përgjegjës, të cilët kanë dëgjuar pretendimet e tij dhe i kanë dhënë sqarime. Më pas është vijuar me sistemimin e tij. Institucioni këmbëngul se janë ndjekur procedurat e zakonshme dhe thekson se vetëm nga 16 deri më 27 tetor janë kryer 24 transferime të tjera.
Deklarata e plotë e Drejtorisë së Burgjeve
“Nisur nga spekulimet e shumta mediatike, vendosëm të bëjmë këtë njoftim të pazakontë për shtyp lidhur me procedura standarde të brendshme të punës.
Transferimi i shtetasit E.V është kryer në kuadër të masave që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë së fundmi për sigurinë dhe garantimin e mbarëvajtjes së institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Në vijim të transferimit e të paraburgosurit E. V. në IEVP Fier, janë zbatuar procedurat e pranimit të parashikuara në nenin 38 të ligjit nr. 81/2020, datë 25.6.2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe në nenin 15 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 06.04.2022, të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të nenit 15, pika 4, të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, më datë 28.10.2026 i paraburgosuri E.V u vendos në seksionin e pranimit (observimit) dhe u trajtua korrektësisht dhe në përputhje me kuadrin ligjor si për të gjitha rastet e tjera.
Më datë 29.10.2026, strukturat përgjegjëse të IEVP Fier kanë zhvilluar takim me të paraburgosurin E.V në ambientet e sektorit të observimit. Gjatë takimit janë dëgjuar pretendimet e tij dhe janë dhënë sqarime mbi të drejtat dhe detyrimet mbi qëndrimin në institucion. Në përfundim, komisioni i pranimit ka vijuar me sistemimin e tij të plotë, në përputhje me vlerësimin individual dhe procedurat përkatëse.
Sa i përket urdhrit të transferimit, për të cilin spekulohet posaçërisht në media, ky akt është miratuar në përputhje me procedurat standarde dhe përfshihet në listën e dokumenteve të klasifikuara “sekret shtetëror”. Për rrjedhojë, administrimi, njohja dhe vënia në dispozicion e tij u nënshtrohen kushteve, kritereve dhe procedurave të parashikuara në ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Shtojmë se në rastin e të paraburgosurit E. V., është kryer edhe njoftimi i organit të prokurorisë, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.
Në mbështetje të nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, si dhe të neneve 106–108 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, miratuar me vendimin nr. 209, datë 6.4.2022, të Këshillit të Ministrave, urdhri i transferimit për çdo arsye të përligjur nxirret nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Vlerësimi dhe vendimmarrja për transferimin përfshihen në kompetencën dhe diskrecionin administrativ të Drejtorit të Përgjithshëm, si praktikë normale pune e ushtruar brenda kushteve dhe kritereve ligjore, mbi bazën e dokumentacionit të administruar.
Nga DPB prej datës 16.10.2026 deri më datë 27.10.2026 janë kryer 24 (njëzet e katër) transferime brenda kuadrit ligjor.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, parandalimin e ngjarjeve dhe mbarëvajtjen e institucioneve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të burgosur”


