Ndreca zbulon detajet: Burgjet edhe Avokatin e Popullit s’donin ta lejonin të takonte Veliajn! Ja pse kryebashkiaku po refuzon ushqimin!
Avokati Plarent Ndreca deklaron se, edhe 24 orë pas transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, mbrojtja nuk ka marrë dokumentacionin zyrtar që shpjegon arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi.
Në një intervistë për emisionin “Breaking” , Ndreca tha se ka qenë i pranishëm kur një grup punonjësish të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve morën Veliajn nga institucioni i Durrësit, pa i vënë në dispozicion aktin përkatës.
“Ne vijojmë të jemi në pritje. Janë bërë 24 orë dhe nuk i kemi ende arsyet se pse zoti Veliaj është transferuar nga Durrësi në Fier”, u shpreh avokati, duke shtuar se komunikimi me institucionet është kufizuar në çështje sigurie, pa një arsyetim të detajuar për vendimin.
“Unë kam qenë i pranishëm edhe në atë moment në institucionin e paraburgimit të Durrësit, ku një grup policësh të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e kanë marrë zotin Veliaj pa pëlqimin e tij dhe pa njoftim zyrtar, pa një akt të arsyetuar dhe të argumentuar për shkaqet e transferimit të tij në institucionin e paraburgimit të Fierit. Kemi pasur një debat aty. Është bërë një kërkesë nga ana ime dhe e zotit Veliaj për t’u njohur me aktin, arsyet dhe shkaqet. Nuk na është dhënë asgjë. Nuk na është dhënë asnjë informacion apo shkresë, gjë që edhe deri tani, që po flasim bashkë, nuk ka ndodhur. Mbrëmë ishim së bashku me Avokatin e Popullit, zotin Shabani, i cili duhet falënderuar për reagimin e shpejtë institucional dhe personal”, deklaroi Ndreca.
Avokati pretendoi gjithashtu se pati kundërshtime për të mos lejuar Avokatin e Popullit të hynte në qelinë ku qëndron Veliaj.
“Ishte një debat i çuditshëm dhe absurd. Asnjë argument. Ata nuk japin asnjë argument juridik apo ligjor dhe injorojnë atë që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton drejtpërdrejt se Avokati i Popullit nuk mund të pengohet të hyjë në çdo qeli dhe të verifikojë menjëherë kushtet e çdo të burgosuri apo të paraburgosuri”, u shpreh ai.
Ndreca sqaroi se letra e bërë publike ishte dorëzuar nga vetë Veliaj te ai dhe Avokati i Popullit.
I pyetur për arsyet e refuzimit të ushqimit nga Veliaj, Ndreca tha se, nga komunikimi me të, kishte kuptuar se bëhej fjalë për një shqetësim të tij, por nuk dha një shpjegim përfundimtar.
“Është një merak, me sa kuptova nga komunikimi me zotin Veliaj. Do të shohim sot, do ta konstatojmë se si po shkon kjo çështje dhe më pas do të vlerësojmë, në komunikim edhe me familjarët, se si do të reagojmë në këtë moment”, përfundoi avokati.


